Prokuroria Berat kërkon 25 vite burg për Byniamin Hajron, i njohur si Bujo Çami për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997, një krim makabër që tronditi vendin pasi viktimat u dogjën të gjallë. Hajro njihet si kreu i Bandës famëkeqe të Vakëfit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në përfundim të hetimit, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Byniamin Hajro, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal ndaj viktimave Eduart Pema dhe Arian Avdullai, në vitin 1997 dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim.
Nga hetimet rezultoi se i pandehuri, Byniamin Hajro, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, pasi i kanë rrëmbyer viktimat Eduart Pema dhe Arian Avdullai, i kanë futur në një garazhd dhe i kanë tortuar duke i goditur me mjete të forta, me armë zjarri dhe duke i djegur ata të gjallë, duke iu shkaktuar kështu vdekjen. Pas torturave, autorët e veprës penale i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytet.