Përcjellja për në banesën e fundit të mjekut të njohur Isuf Kalo është mbajtur në fshatin e tij të lindjes, në Luzat të Tepelenës. Kryeplaku i këtij fshati ka mbajtur fjalën e përcjelljes në të cilën ka vlerësuar personalitetin dhe kontributin e profesor Kalos. Ai i përcolli ngushëllimet familjarëve të mjekut të njohur teksa citoi disa vargje të shkruara nga miku i tij.
Vendimi i mjekut të njohur për tu prehur në këtë fshat, pranë gjyshit të tij, u cilësua si nderim. Kryeplaku i Luzatit vlerësoi edhe thjeshtësinë dhe guximin e këtij personaliteti si në profesionin e tij, ashtu dhe në jetën e përditshme.
Profesor Kalo u nda nga jeta më datë 19 të këtij muaji, teksa u dërgua në banesën e fundit ditën e sotme, në Tepelenë. Në homazhet që u kryen në Tepelenë, mjeku u nderua nga personalitet e qarkut, kryetari i bashkisë, deputetë, ministra e ish-ministra.
FJALA E PERCJELLJES NE LUZAT
Isuf Kalo djalë Luzati ruajti rrënjët prej fshati
Fshatit tonë me dafina, ujë kristal e trëndelina
Me kulturë, dëshmorë dhe trima
Isuf Kalo hijeshia, urtësia e bujaria
Djalë i mbarë nga Luzati dhuratë na e solli fati
S’ punoi kurrë për vete, po Shqiprinë e ca shtete
Këto vargje që tingëllojnë kaq aktuale sot, gjenden në librin Ligjërimet e Pyllit, botuar vitin e kaluar nga Selaudin Guma, mik i familjes Kalo.
Vendimi i Isufit për të ardhur këtu, për t’u prehur pranë gjyshit të tij, Ali Kalo Luzati, atdhetarit që iu drejtua Presidentit Wilson për të mos lejuar copëtimin territorial të Shqipërisë 100 vjet më parë, na ka prekur, por edhe nderuar.
Tashmë në lëndinën e Luzatit të bukur, rrëzë malit mbi xhade, siç thotë kënga që do ti thurte vëllai Novruz, do të kemi një gur tjetër të rëndë, një pasuri intelektuale, që do shkrihet e bëhet një me mençurinë e tërë burrave, grave, djemve e vajzave që me kontributin e veprën e tyre kanë mbajtur lart emrin e fshatit tonë.
Isufi ka lënë pas një trashëgimi me vlerë, ide e projekte të shkruara për shërbimin shëndetësor e mjekësor, por ai na ka dhënë edhe modelin e një njeriu me zemër e botë të gjerë, e një dijetari guximtar e të thjeshtë që frymëzon këdo.
Po ne e çmojmë e do ta kujtojmë atë edhe për ndjenjën e dashurisë që ai rrënjosi tek brezi i dytë, fëmijët nipat e mbesat për Luzatin. Gëzohemi sa herë ata vijnë këtu për të njohur nga afër fshatin, banorët e tij, doket e pemët tona, për të pirë nga uji ynë i ftohtë, duke mbajtur gjallë kështu një marrëdhënie të ndërtuar për shumë dekada me aq dashuri nga vëllezërit Kalo e motrat e tyre.
Isufit i buronte nga brënda një dëshirë e madhe për tu treguar të tjerëve vlerat, historinë e Luzatit e të banorëve të tij, madje këtë e bënte me shumë pasion. Kam patur rastin ta shoqëroja kur ndalonte këtu me miq e shokë dhe ndër të tjera, u thoshte me humorin e tij të spikatur, se Luzati ka shumë vlera, po për dy gjëra nuk ja kalon askush: Fiqtë dhe Djemtë e ëmbël.
Sot jemi padyshim të pikëlluar që ndahemi fizikisht prej tij, por ne do ta kujtojmë gjithmonë djalin tonë të ëmbël që zgjodhi Luzatin si strehën e fundit.
Në emër të Luzatarëve u përcjell ngushëllimet tona më të ngrohta bashkëshortes besnike e po aq të dashur për Luzatin, Firdesit, Ilirit dhe Entelës dhe gjithë të dashurve të tij, duke i siguruar se ai do prehet i qetë këtu pranë nesh.
Lamtumirë Isufi ynë! Le të mbajmë një minutë heshtje në nderim të tijBashkim Shatrafili
KRYEPLAKU I FSHATIT
Luzat, 28 janar 2023