Në faqen zyrtare të parlamentit të Shqipërisë, marrëveshja që e jep Butrintin me koncesion, ka vetëm 1 nen.
“Sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji”, thuhet në dokument, por “tekst” nuk ka. Neni i dytë e fut në fuqi.
Sakaq “Zëri i Amerikës” e pati njofuar në fillim të muajit se sipërfaqa po reduktohej duke u hapur rrugë investimeve .
“Në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 ha në 8.622,2 ha në kuadër të shqyrtimit të kufijve të disa parqeve natyrore dhe kombëtare në vend.
Sipas hartës së bashkëngjitur vendimit të qeverisë për Butrintin, një sipërfaqe prej rreth 800 ha nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike”, thuhet në artikullin e VOA-s.
Me sa duket Qeveria Shqiptare e vendosi perlën e arkeologjisë në menaxhim të huaj me një marrëveshje sekrete.
Duke lënë disa pikëpyetje pa përgjigje:
Përse mohohet transparenca për Butrintin?
Nëse koncensioni është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, atëherë pse u mbahet atyre sekret?!
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa reagoi sot në një përballje pothuajse fizike me ministren e Kulturës për këtë çështje. Zhupa e quajti absurd faktin që teksti i një marrëveshjeje mbahet sekret, sikur të bëhej fjalë për një bazë ushtarake bërthamore, dhe jo një sajt arkeologjik.
Pak histori
Një traktat kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë në 1926, ratifikon që çdo objekt i gjetur në zbulimet arkeologjike t’i ngelej vendit përkatës dhe asgjë nuk duhej të emigronte.
Kont Ugolini, njeriu që zbuloi Dean e famshme të Butrintit, citon marrëveshjen arkeologjike: “Misioni arkeologjik nuk merr me vete as kopje të dytë të objekteve të gjetura”. Më poshtë ai shkruan: “I vetmi ekzemplar arkeologjik i hyrë në Itali është Koka e Deas së Butrintit, e dhuruar nga Mbreti Zog, Shkëlqesisë së Tij Mussolinit”.
Të gjitha këto gjenden në librin “Butrinti, miti i Eneas – gërmimet e Luigjit” (Ugolini 1937 / XV Instituti Grafik Tiberino).
Në vitin 1981, koka e Deas u kthye në Shqipëri. Sot gjendet e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar./Priza.al