Fondi Besa Sha, një nga shoqëritë e para mikrofinancë në Shqipëri që mban Niptin K81911023C, është licensuar nga Banka e Shqipërisë në 26 Dhjetor 2008. Me gjenezë Fonadacionin “Soros”, Fondi Besa ka për pronarë aktualë “Fondacionin Albanian Besa Capital” 66.47%, Bajram Muçaj me 20% dhe disa punonjës të tij, rreth 46, të cilët kanë kusurin e aksioneve në përqindje të vogla, aq sa për të heshtur mbi të vërtetën që qëndron në themel të tij.
Fondi Besa ka një nga licencat kryesore të mikrokredisë në Shqipëri, licencë që e ka marrë në 26 Dhjetor 2008 prej Bankës së Shqipërisë.
Ka edhe një satelit të vetin, për të cilin nuk flet askush, “Agro & Social Fund” Sh.p.k me nipt K71616007M, që është një kompani mikrokredie me pronar 100% Fondin Besa.
Agro & Social Fund është licensuar nga Banka e Shqipërisë në 30 Dhjetor 2009. Me këtë kompani Fondi Besa bën punët e pista nëpërmjet lëvizjeve dhe transaksioneve të hapura e të fshehta.
Në vitin 1998 “Soros” krijoi Fondacionin Besa, si organizatë joqeveritare dhe jo fitimprurëse. Më 28 Prill 1999 me VKM Nr. 207, kryministri dhe zv/kryeministri 30 vjeçar Majko & Meta, me ndihmën e “ekspertëve” Anastas Angjeli dhe Ermelinda Meksi, nënshkruan një nga aktet më të çuditshme në historinë e shtetit shqiptar. Prapaskena sjell për herë të parë dokumentin.
Sipas Majkos dhe Metës, nga Fondi (shtetëror) i Zhvillimit Shqiptar, duhet të shkëputej një departament i cili do do quhej “Fondi i Financimit Rural”.
Ky fond me lejen e qeverisë duhet të transferohej tek Fondacioni Besa, me gjithë asetet që kishte në formë granti. Asetet përfshinin 3 milionë dollarë, që një institucion shtetëror ia “falte” një Fondacioni privat, pra Fondit Besa. Propozues dhe ndërmjetës ishte Ilir Meta.
Pandeli Majko, që prej atij viti, për herë të parë këtë dokument të klasifikuar e sheh me siguri sot.
Nëse SPAK, do ekzistonte në 1999-ën, pa asnjë dyshim që do u vinte prangat të 4 firmëtarëve të VKM-së Nr. 207, perfshirë dy “adoleshentët” në krye të qeverisë.
Kështu nisi rrugën Fondi Besa. Me 3 milion dollarë të dhuruara nga Majko & Meta në 1999, ndërsa në 2006 mori një kredi 7 milionë Euro nga Agjencia Spanjolle për Kooperim dhe Bashkëpunim, fond i ndërmjetësuar nga Sali Berisha me Ridvan Boden.
Në Qershor 2008 fondacioni “Besa” u shndërrua nga organizatë jofitimpruresë në shoqëri aksionere.
Ministri i Financave të asaj kohe Ridvan Bode, miratoi një akt po aq të çuditshëm sa VKM-ja Nr. 207. Fondacioni joqeveritar “Besa” i shndërruar në “Fondi Besa” sh.a, tashmë të gjitha asetet dhe detyrimet që duhej t’ia kishte borxh qeverisë shqiptare, po ia transferonte ato një biznesi privat.
Për të filluar një aktivitet mikrokredie fondit i duhej një licensë që e jepte Banka e Shqipërisë me Guvernator Ardian Fullanin në atë kohë.
Në 26 dhjetor 2008, supozohet se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, është mbledhur për të miratuar licensën Nr. 10 të kompanisë mikrofinancë “Fondi Besa”. Asnjë mbledhje të zhvilluar nuk ka të pasqyruar në këtë datë dhe vit Banka e Shqipërisë. Një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të asaj kohe, pretendon se licensa është “fake”.
Dy nga të përzgjedhurit për të drejtuar mamuthin e mikrokredive “Fondi Besa” që me krijimin e fondacionit në 1999, janë Bajram Muçaj dhe Altin Muça, për 26 vjet të detyruar të qëndrojnë bashkë, njëri Drejtor dhe tjetri Zëvendës Drejtor Ekzekutiv i Fondit “Besa”. Të dy aksionerë, por Bajrami ka në “shpinë” shumë aksione të dikujt tjetër…
Altin Muça, nip i Selim Muçës, ish kryetarit të Komunitetit Mysliman, njihet si “dora” e Sali Berishës në tregtinë e armëve.
Në 1992, me ardhjen në pushtet të Berishës, Safet Zhulali, ministër Mbrojtje, e emëron Altin Muçën “Shef të shitjeve” në kompaninë “MEICO” që merrej me eksport-importin e armëve.
Emri i tij lakohet në 1993 për zhvillimin e një trafiku të jashtëligjshëm armësh në aksin Tiranë-Bengazi.
Nga ana tjetër, Bajram Muçaj, i rritur në Leshnjë të Skaraparit, me një njohje të afërt familjare me prindërit e Ilir Metës, dërgohet në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ku atje njihet me studentin Ridvan Bode.
Bajrami, me lidhjet familjare të kohës së komunizmit, emërohet pas shkolle, drejtor i fermës së Thumanës në rrethin e Krujës. Nga 1987 deri në 1990, Bajram Muçaj caktohet të mbulojë edhe ish Kooperativën Bujqësore Borizanë, Thumanë dhe Bushnesh. Pas ardhjes së demokracisë largohet emigrant në Gjermani.
Altin Muça, “eminenca” gri e “Fondit Besa” pas misionit të përbushur të kontrabandës së armëve deri në 1994, largohet për një vit për në SHBA. Nuk dihen të sakta rrethanat se si i “puqën” Altin Muçën nga Dibra dhe Bajram Muçajn nga Skrapari, pas 1997 për t’i vendosur në drejtimin e “Mamuthit Besa” në 1998.
Lidhjet familjare të Altin Muçës me pushtetin e Berishës janë të njohura. Të gjithë kushërinjtë e parë “lundruan” nga pushteti i Berishës tek Meta duke përfunduar tek “Rama”. Arjan Muça (djali xhaxhait), nga ish drejtori famëkeq i Skuadrës së Operacioneve Specialeve në erën “Berisha”, sot i shërben Edi Ramës si drejtor i Antinarkotikëve në Policinë Kriminale.
Alma Muça, (vajza e xhaxhait), nga 2001 prokurore, sot në Prokurorinë e Përgjithshme. Ermal Muça, (djali i xhaxhait), nga ish kryekancelar i Ambasadës së Shqipërisë në Ankara, emëruar nga Berisha në 2005, konsull në Japoni emëruar prej Ramës këtë vit.
Ervin Muça, (djali i xhaxhait), i “akuzuar” nga Berisha si hajduti i sistemit “TIMS”, është një tjetër fije që ka depërtuar në degët e qeverisjes.
Lidhjet familjare të Bajram Muçajt, i kanë fijet më të forta me fisin Metaj, të Ilir Metës, se sa me Berishën. Me këtë të fundit e lidh vetëm klani “Hajdarmataj”. Pas 15 vjetësh Fondi Besa, nga një fondacion jofitimprurës është shndërruar në një superfuqi financiare që me modesti ruan profilin e një kompanie microfinance.
Bajram Muçaj, si imazhi botoks i Fondit Besa, është personifikimi i këtij shndërrimit të kooperativistit në bankier grosist.
Vjedhjet, falsifikimet, kurvëria bashkë me ryshfetet në të gjithë spektrin shtetëror e kanë kthyer Fondin Besa në një Mamuth financiar që po lëviz ngadalë në sistemin bankar të Shqipërisë duke shkelur mbi çdo gjë.
Kush janë Edlira Qole, Robert Lukaj, Alban Kokalari, Enida Lluka dhe çfarë roli kanë apo kanë patur këta emra në Fondin Besa? Po Çapajev Gjokutaj dhe avokat Hajdari, çfarë i lidh me historinë “Besa”?/ Vijon…