Pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit, ish eksponent të kësaj force politike kanë kërkuar bashkërisht dorëheqjen e Lulzim Bashës. Një ndër të pakënaqurit është edhe ish presidenti Bujar Nishani. Ai ka nisur takimet në terren, pas kërkesës për shkarkimin e kryedemokratit Basha.
Bujar Nishani ka qenë në Korçë këtë të shtunë, ku ka artikuluar se Partia Demokratike duhet t’i nënshtrohet një reformimi. Ai ka deklaruar se Basha duhet të marrë përgjegjësinë politike, dhe të japë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje.
“Kur kemi artikuluar marrjen e përgjegjësive që fillojnë në radhë të parë nga kryetari i partisë, z. Basha, e kemi artikuluar në radhë të parë si përgjegjësi politike dhe përgjegjësia politike e dorëheqjes në radhë të parë është tregues simbolik i civilizimit.
Është tregues edhe i përgjegjshmërisë. Mbi të gjitha dorëheqja e përgjegjësit kryesor është tregues që ti merr përsipër shërbimin e fundit publik ndaj interesit më madhor që është interesi partisë.
Është treguesi i asaj që ti e konsideron interesin e partisë mbi interesin personal. Ky është një proces që nuk fillon dhe mbyllet me dorëheqjen e kryetarit të partisë.
Është një proces dhe ajo që është më e rëndësishme për ne është reformimi i kësaj partie. Që themeluesit e kësaj partie të jenë ashtu siç e meritojnë të jenë, vlera reale. PD ka lindur si parti e rinisë, si parti e intelektualëve. Sot gjenerata më aktive mbahet larg PD-së”, tha Nishani.