Marin Sterkaj, i njohur me emrin e tij të artit si Don Phenom, ka folur së fundmi rreth jetës së tij personale dhe fillimet e karrierës në muzikë. Në një intervistë për “Jeto me Orën”, reperi u shpreh se është marrë me muzikë gjithmonë por kënga në shqip ka nisur si një eksperiment.
“Historikisht jam marrë me muzikë hip-hop, rrep, kam kënduar këngë anglisht. Pas një kohe shokë e vëllezër më thanë hajde provo një këngë shqip e provova dhe shpërthyen pa dashje. Në fillim thjesht ishte eksperiment por është ndjenjë shumë e mirë”- u shpreh Don Phenom.
Projektet e tij kanë vijuar dhe madje kanë korrur mjaft sukses. Don Phenom zbuloi se tashmë po merret me këngët për albumin e ri. Ai rrëfeu se suporti nuk i ka munguar as nga familja sidomos nga nëna e tij, të cilës i kërkoi edhe falje publike.
“Ka pasur kohë të vështira, i kërkoj falje nënës dhe babës. Kur isha i vogël isha më rebel tani më i bindur, më normal. I kërkoj falje nënës jo vetëm për mua. Duke qenë më i madhi besoj se isha influencë e keqe për vëllezërit. Nëna është nënë, për të nuk ka djalë të keq. Gjithmonë ka qenë suportuese. Zakonisht ka suport”- rrëfeu reperi.
Reperi, i cili është baba i një fëmije, u shpreh për djalin e tij se: “Është ndryshim interesant se nuk ta merr mendja që mundesh me e dasht dikë kaq shumë. Thjesht është një ndjenjë shumë e mirë. Kur nuk jam në takime ose në punë zakonisht jam me djalin”.