Ambasada Gjermane Tiranë ka publikuar rregullat e reja për ata persona të cilët aplikojnë për një caktim date për intervistë me qëllim punësimin në shtetin gjerman. Në njoftimin e ambasadës thuhet se rregullat e reja janë për personat nga Ballkani Perëndimor.
Sipas ambasadës ky ndryshim do të bëhet për shkak të kërkesës tejet të lartë për orare aplikimi për vizë.
NJOFTIMI I PLOTË I AMBASADËS GJERMANE:
Të reja në Rregulloren për Ballkanin Perëndimor: Ndryshim në procedurën e caktimit të takimeve.
Për shkak të kërkesës tejet të lartë për orare aplikimi për vizë me qëllim punësimin sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor, e cila e tejkalon ndjeshëm numrin e orareve që mund të vihen në dispozicion, dhe me qëllim sigurimin e mundësive të barabarta për një orar aplikimi, që prej dhjetorit 2021 këto orare do të caktohen përmes një procedure të përmuajshme shorti.
Personat e interesuar do të kenë mundësinë që nga data 1 dhjetor në orën 09.00 deri më 17 dhjetor në orën 12.00, nëpërmjet sistemit online të caktimit të orareve të aplikimit të ambasadës të shprehin interesin e tyre për procedurën e shortit.
Mes të gjitha kërkesave të regjistruara përmes një shorti kompjuterik do të përzgjidhet, se kush do të marrë një orar aplikimi për periudhën janar deri fillim shkurti 2022. Procedura e shortit do të realizohet secilën herë në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin nën mbikëqyrjen e disa personave.
Lutemi të regjistroheni vetë dhe me qetësi për procedurën e shortit dhe bëni shumë kujdes në hedhjen korrekte të të dhënave tuaja.
-Informacione të rëndësishme:
-Regjistrimet e shumëfishta përjashtohen.
-Ndryshimi i mëvonshëm i të dhënave të regjistruara është i pamundur.
– Kalimi i orarit të aplikimit tek një person tjetër nuk lejohet.
-Regjistrimi i mëhershëm nuk ka përparësi kundrejt një regjistrimi të mëvonshëm.
-Angazhimi i palëve të treta (p.sh. agjensive) nuk është i nevojshëm dhe nuk sjell asnjë përparësi.
Ambasada nuk cakton takime esktra, ndaj ju lutemi të hiqni dorë nga kërkesa të këtij lloji.
– Informacione të mëtejshme do të publikohen pas pak kohësh në faqen tonë të internetit. ? https://bit.ly/3HYUMyA
/Priza.al/