Sekretari i qendrës në Maliq, ka zbardhur sherrin e dhunshëm ku u raportua për një çift të dhunuar. Kryefamiljari pretendonte se u ishte mohuar që të votonte e ëma. Po sipas tij, autorët janë djemtë e kryeplakut, teksa i kanë goditur me karrige e sende të forta në kokë. Sekretari i qendrës së votimit 3826 në Maliq, Edmond Vinçani ka hedhur dritë mbi sherrin e dhunshëm që ndodhi sot në fshatin Vashmi, ku burrë e grua u rrahën keq nga vëzhguesi i PD-së.
Sipas sekretarit, çifti Avdalli ka tentuar që të votojë familjarisht. “Në qendrën e votimit 3826, erdhën disa familjarë që të votonin familjarisht. Vëzhguesi i PD-së se lejoi dhe iu tha; se lejon ligji që të votoni familjarisht.
Ata protestuan me dhunë dhe thanë; duam të votojmë. Më pas erdhi dhe i biri. Nisën të ziheshin. Më pas në korridor ata janë goditur. Ne s’e pamë mirë. Dëgjova që thanë se janë zënë fizikisht. Ata nuk dhanë arsye për të moshuarën, se nuk shikonte apo jo. Donin të votonin bashkë”, tha sekretari.