Thuajse si çdo natë aktorët kryesorë politikë të vendit edhe këtë të enjte mbrëma kanë pushtuar ekranet kryesore të mediave shqiptare dhe kanë nisur lojën e tyre me debate, akuza, replika dhe kundërreplika.
Duket se këtë mbrëmje “ringun” e debatit politik e kanë zënë Presidenti i Republikës dhe Kryetari i PD-së.
Presidenti Ilir Meta pak më parë nga një emision televiziv ku është i ftuar e përmendi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, duke e akuzuar për “dopiolojë” me detin në favor të Greqisë.
Por nuk ka vonuar kundërpërgjigja live e kryedemokratit nga një tjetër hapësirë mediatike, duke i kthyer “kusurin” kreut të shtetit.
“Trekëndëshi i Bermudës këtë punë do bëjë. Rrotulloje nga të duash, çdo brinjë do pështyjë. Negociatat në 2009 u bënë nga ekspertë të MM-së, kjo është e vërteta, të tjerat janë trillime”,- deklaroi kryedemokrati Basha për Presidentin Meta.
Nga studion e “Real Story” në “Neës 24”, Basha e quajti këtë deklaratë si “pështymë e njërit prej brinjëve të Trekëndëshit të Bermudës”.
Në vitin 2009, Lulzim Basha në funksionin e Ministrit të Jashtëm firmosi Marrëveshjen e Detit me homologen Dora Bakojanis.
Marrëveshja u cilësua “skandaloze” në Shqipëri, për shkak të hapësirës së madhe detare që vendi jonë i jepte fqinjit helen. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen mes dy qeverive tona.
/Priza.al/