Imazhi i fundit i Mbretëreshës Elizabeth II është bërë nga fotografja e njohur Jane Barlow, e cila ka fotografuar një detaj të rëndësishëm, që merr një kuptim tjetër pasi mbretëresha e Anglisë vdiq dy ditë më vonë në rezidencën e saj Balmoral, në moshën 96-vjeçare. Mbretëresha monitorohej vazhdimisht nga një ekip mjekësor derisa ajo ndërroi jetë.
Gjatë një takimi me kryeministren Liz Truss, ajo që vihet re është dora e saj e mavijosur dhe me gishtërinj të bardhë. Tek personat e moshuar shkak i kësaj mavijosje mund të jetë një kapilar ose venë e bllokuar.
Të moshuarit kanë lëkurë shumë të hollë dhe të ndjeshme dhe çdo prekje apo goditje sado e vogël, mund të shkaktojnë dëmtime. Madje ndonjëherë asnjë faktor i jashtëm nuk e shkakton këtë, thjesht trupi reagon në një mënyrë të caktuar teksa vitet kalojnë.
Ndërsa gishtërinjtë e bardhë mund të jenë simptomë që gjaku nuk arrin mirë. Gjithashtu, një ndër shkaqet mund të jetë mbajtja fort e bastunit, duke pasur parasysh problemet e saj në lëvizje.
Kardiologu Francisco Javier Parra, kreu i Shërbimit Klinik të Kardiologjisë të spitalit “CIEC HM” shprehet se kjo mavijosje vjen si pasojë e moshës dhe është diçka normale. “Unë shoh pacientë me mosha të ngjashme me atë të Elizabeth II çdo ditë në zyrën time dhe me ato mavijosje në duar”,- thekson mjeku.