Një rastësi, e cila zbulon një histori tradhtie që duhej mbajtur e fshehtë dhe që hap një diskutim të madh lidhur me privatësinë në mjedise publike.
Një grua që shëtit me të dashurin në periferi të Napolit dhe pak kohë më vonë e gjen veten në një videoklip të këngëtarit Gigi D’Alessio. Është viti 2012. Fjala është për këngën “Oj nenna ne”, ku gruaja në fjalë shfaqet përdore me një burrë, që në fakt nuk është bashkëshorti i saj.
Për fatin e saj të keq, kënga bëhet hit dhe të gjithë në lagjen e saj mësojnë lidhjen jashtëmartesore dhe kjo i jep fund martesës së saj. Gruaja hedh në gjyq Sony-n, që ka prodhuar klipin, duke kërkuar dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar, sipas Corriere.it.
Edhe pse Sony kundërshtoi me pretendimin se videoja është xhiruar në një mjedis të hapur dhe në këto kushte supozohet se ka pasur një pranim në mënyrë të heshtur, për më tepër që duket qartë momenti kur gruaja shikon kameran për disa sekonda, gjykata ka detyruar kompaninë të kompensojë gruan në fjalë.
Gjykata e Apelit në Napoli vendosi se gruaja duhej dëmshpërblyer, pasi është bërë viktimë e popullaritetit pa e kërkuar një gjë të tillë, d.m.th. shfaqja në video ka shkelur të drejtën e saj për privatësi dhe ka cenuar reputacionin e saj.
Por Sony pretendon se “lajmi për lidhjen jashtëmartesore të gruas dhe për më tepër ekzistenca e provave për këtë zgjojnë gjithmonë kuriozitet”, sidomos në lagjen ku jetonte. Sony argumenton se marrëdhënia e gruas ishte kompromentuar para se të shfaqej në video.
Por gjykata vlerësoi se videoja është bërë mjet që përhapi një informacion të rezervuar.
/Burimi: Corriere della Sera/ Përshtati: Priza.al/