Disa ditë pasi Papa Francesku ka filluar një revolucion brenda kishës, duke rishikuar Kodin Penal të Kishës Katolike, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij ka dhënë dorëheqjen.
Kardinali i Monakos, Reinhard Marx, është një nga eksponentët më të njohur të Dhomave të Shenjta Gjermane, të cilat i ka drejtuar në cilësinë e presidentit të Konferencës së Ipeshkvijve deri në vitin 2020. Ai i është drejtuar Atit të Shenjtë me një letër dhe kërkon të lirohet nga posti i Kryepeshkopit të Mynihut dhe Freising, detyrë që e mban që nga viti 2007, i emëruar nga Papa Benedikti XVI.
Letra e Kardinalit 68-vjeçar përqendrohet në humbjen thelbësore të Kishës në përballjen me tragjedinë e abuzimit dhe shprehet se se Kisha Katolike ka arritur “në një rrugë pa krye” dhe se dorëheqja e tij nga posti mund të shërbejë si një sinjal për një impuls të ri.Me tërheqjen nga detyra, Marx dëshiron “të tregojë se në plan të parë nuk është detyra, por misioni ungjillor”. Dhe në këtë pikë, ai është i gatshëm të marrë përgjegjësi personale jo vetëm për gabimet personale, por për ato të institucionit të kishës.
Marx merr përgjegjësinë që i takon për abuzimet seksuale të kryer nga udhëheqësit e Kishës në dekadat e kaluara. Hetimet në të shkuarën, sipas tij, kanë nxjerrë në pah shumë dështime personale dhe gabime administrative, por edhe dështime institucionale ose të sistemit. Vetë kardinali, muajt e fundit, i ishte drejtuar zyrës Ëestpfahl Spilker Ëastl – e cila është ngarkuar me hetimin për herë të parë të rasteve të pedofilisë në Kryepeshkopatën e Këlnit – për të hartuar një raport mbi abuzimet në Kisha e Mynihut dhe Freisingut, duke theksuar se nuk do të bënte asnjë përpjekje për të ndikuar në rezultatet përfundimtare.
Vitin e kaluar, Marx krijoi në dioqezën e tij fondacionin e shërbimeve publike “Spes et Salus”, i cili ka për qëllim “shërimin dhe pajtimin” të gjithë atyre që janë bërë viktima të abuzimit seksual nga njerëzit e kishës. Në javët e ardhshme, pritet raporti mbi abuzimet në kryepeshkopatën e Mynihut.
/Burimi La Stampa: përshtati në shqip Priza.al/