Ditët e fundit prokuroria shqiptare ka vënë nën hetim qendrat call center-at të cilat funksionojnë në bazë të mashtrimeve. Gjithçka nisi pas një denoncimi të një qytetare gjermane e cila pasi investoi mijëra euro, me premtimin se do përktheheshin në kriptomonedha, vlerat monetare u zhdukën.
Janë mbi 10 kompani që dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Europian. Hetimet e SPAK janë duke u kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka publikuar një foto duke pozuar pranë një mjeti të Policisë gjermane. Edhe pse nuk e bën me dije se ku është shkrepur fotoja, duket se ka lidhje me aksionin e fundit të ndërmarrë lidhur me çështjen e mashtrimeve në “call center-a”, e cila është marrë në dorë nga SPAK.
“Gjermanët, gjermanët, janë vërdallë. Më duket se po na numërojnë,”-shkruan ai, duke iu referuar batutës së njohur të filmit “Dimri i fundit”.
Gjatë ditëve të fundit, në Shqipëri ka nisur hetimi për 13 kompani që dyshohet se mashtronin të huajit për të investuar në bursë, duke u marrë paratë nga llogaritë bankare. Denoncimi i parë erdhi nga Gjermania, duke iu bashkuar më pas Italia dhe Holanda. Çështja po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, ndërkohë që mendohet se mashtrimi ka arritur shifra të frikshme.
/Priza.al/