Përmes një vendimi të marrë më 24 shtator, GJKKO ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda për gjykim të Fatmir Mediut.
Ndërkaq, zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Fatmir Mediun, në të cilin renditen arsyet pse u pranua kërkesa e SPAK për të gjykuar ish-ministrin. Apeli i GJKKO-së argumenton se ish-ministri nuk është gjykuar më parë për çështjen Gërdeci.
Ndërkohë në vendim theksohet se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009. Sakaq, gjykata thekson se edhe rënia e kushtit për të pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që i hap rrugën gjykimit.
Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku shpërthimi në një pikë demontimi të municioneve në Gërdec (Vorë, Tiranë) u mori jetën 26 personave.
Çështja ndaj Mediut u mbyll një vit më vonë, më 14 shtator 2009, kur ai u ri-zgjodh deputet. Avokatët mbrojtës të Mediut kërkuan mbylljen e çështjes duke argumentuar se prokuroria duhet t’i kërkonte sërish autorizim Kuvendit për heqjen e imunitetit.
Por, kjo çështje është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.
Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.
/Priza.al/