Kulmin e vezullimit, Agim Kajmaku e pati në zgjedhjet monopartiake të 30 Qershorit. “Gimi nuk është doktor shkencash, Gimi është si puna ime. Gimi është kokëfortë, e për kokëfortë jemi një grup i mirë këtu ne”, u thoshte Edi Rama banorëve të Vorës. Koha tregoi se Gimi ishte vërtet kokëfortë.
Por Gimi, përveç kokëfortësisë, i solli me vete organizatës socialiste edhe ca probleme me ligjin nga e shkuara, që do ta fusnin në telashe atë vetë dhe njerëzit që e promovonin.
“Agim Kajmaku është njëri prej jush dhe ju e njihni mirë. Agim Kajmaku është personi i duhur që duhet votuar”,- i sugjeronte Balluku elektoratit në Vorë.
Sado mirë ta njihnin në 2019, pakkush e kishte imagjinuar që nën kostumin e kryebashkiakut të Vorës do të gjente strehë një trafikant kokaine, që për nga metodat, krahasohej edhe me përpjekjet e narcos të Amerikës Latine për të kaluar kokainën përtej kufirit në SHBA.
Koha për mandatin e 30 Qershorit edhe nuk ka mbaruar për shumicën e kryetarëve të bashkive në vend, por për Agim Kajmakun, kjo ka qenë një periudhë e zezë, me disa hyrje-dalje nëpër qelitë e burgut.
Tani po kalon ca ditë në qelitë e Grotamares, në Itali. Karabinierët i zbuluar një skemë për t’u pasur zili të transportit të kokainës. Fillimisht porosiste një lulishtar t’i bente gati një sasi vazosh me fidanë në formën e një dërgese në një shtet tjetër. Pastaj i tërhiqte vazot me pretekstin e zhdoganimit, për të mos humbur kohë me procedurat dhe i rikthente sërish në fidanishte, duke ia lënë transportin kompanisë që ia çonte porosinë në destinacion. Por kur i merrte vazot me fidanë për t’i zhdoganuar, Agim Kajmaku i mbushte ato me kokainë. Kështu, transportin e kokainës ia linte në dorë kompanisë së luleve.
Lulishtari ka nuhatur diçka që nuk shkonte dhe thirri policinë, që zbuloi 20 kilogramë kokainë mes vazove. Agim Kajmaku u arrestua bashkë me nipin në fund të majit. Kokaina kishte vlerë deri në 1 milion euro.
Blerja e fidanëve nga Jorgo Toto
Burgjet e Greqisë Agim Kajmaku i ka provuar vetëm për pak ditë në vitin 2003. Interesante është se edhe kur u arrestua nga policia greke, telashet nisën për disa vazo me fidanë. Në Greqi, Agim Kajmaku përdorte emrin Jorgo Toto. Pasi kishte blerë disa fidanë nga një lulishtar, greku e denoncoi se Kajmaku e kishte paguar me para false.
Kajmaku u arrestua fillimisht. Me t’u lënë i lirë, u arratis nga Greqia ku gjyqi vazhdoi dhe u mbyll në mungesë të tij. Dënimin nuk e vuajti kurrë, sepse deri në vitin 2016 nuk shkeli në Greqi. Nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të false, u kthye në Agim Kajmaku, që u zgjodh pastaj kryetar bashkie nga Edi Rama.
Problemet me dekriminalizimin në Shqipëri
Kajmaku ishte në fillim të mandatit, kur i dolën në pah problemet me ligjin që kishte pasur në Greqi rreth 16 vite më parë. Gazmend Bardhi shpalli se Kajmaku “digjej” nga ligji i dekriminalizimit, pasi kishte gënjyer në formularin e vetëdeklarimit, duke fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto.
Vetë Kajmaku i mohoi të gjitha, duke i quajtur shpifje.
“Unë paskam urdhër arresti në Greqi dhe hykam e dilkam sa herë dua! Ja ku e kam që kam hyrë e kam dalë nga Greqia para se të dilte emri kandidat. E vërteta ime do vërtetohet siç e kam thënë, po jo nga limoni i shtrydhur i PD po nga autoritetet. Unë s’jam arrestuar dhe s’jam dënuar në Greqi po kam bërë punë me emër tjetër si gjithë shqiptarët. Po të isha në kërkim s’do hyja dhe dilja sipas qefit!” shkruante në një letër publike.
Në mbrojtje i doli edhe Edi Rama, që e quante Kajmakun si njeriun që nuk kishte marrë asnjëherë një gjobë në jetë, ndërsa tallej me akuzat nëpërmjet shprehjes “kajmaku, gjiza, kosi”.
Heqja e mandatit të kryebashkiakut
Ndonëse Gjykata e Janinës e shfajësoi Jorgo Toton me argumentimin se nuk provohej që ai të ishte falsifikatori i parave, përsëri Agim Kajmaku ishte fajtor në raport me ligjin shqiptar. Ai kishte gënjyer në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 13 maj 2019.
Kishte mohuar ndjekjen penale, arrestimin dhe masën e arrestit në Greqi.
Kur dokumentat u bënë publike, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk pati më asnjë mundësi ta mbrojë dhe e shkarkoi nga detyra e kryebashkiakut, duke e lënë bashkinë e Vorës pa drejtues.
Por Kajmaku mund t’ia kishte hedhur paq. Mund të kishte mbetur në hije në politikë dhe të përfitonte nga lidhjet që kishte duke i mbetur besnik organizatës. Por në vend të kësaj, ai zgjodhi t’i sfidojë me kokëfortësinë e tij duke e hedhur në erë investimin.
Ne 1 nëntor ai u shkarkua nga detyra me një vendim unanim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Mosbindja ndaj organizatës
Braktisjen që i bëri Rilindja, Agim Kajmaku nuk e përtypi lehtë. Prandaj pushtetin që i kishte dhënë organizata tentoi ta mbajë përmes të preferuarit të tij në bashki, shefit të kabinetit. Urdhrat ishin ndryshe: pushtetin duhej t’ia kalonte nënkryetarëve, por Kajmaku nuk u bind.
Sapo u shkarkua nga detyra në 1 Nëntor të 2020, Agim Kajmaku pushoi nga puna dy zevendesit e tij në bashki dhe guxoi të vendoste pasardhës, shefin e kabinetit.
Pikërisht kjo mosbindje i kushtoi më shtrenjtë se alliverishet e tjera. Menjëherë ndaj tij u vu në lëvizje prokuroria. E njëjta prokurori që e mbrojti nga denoncimet e opozitës dhe që nuk filloi procedim ndaj tij për gënjeshtrat në formularin e dekriminalizimit, kërkoi arrest me burg, kur Kajmaku i hapi andrralla PS-së për ta zëvendësuar.
Dy akuzat ishin: “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.
Për 8 muaj iu desh të jetojë në arrati. Marëdhëniet me Partinë Socialiste i ruajti të ngrira, deri kur sëmundja e diabetit e mundi. Problemet shëndetësore e detyruan të kërkojë ndihmë pranë spitalit kontinental në Tiranë. Qe personeli i këtij spitali, në datën 8 Korrik 2020, që pasi i dha shërbimin e parë ka njoftuar policinë se po kuronin një person të shpallur në kërkim, për veprat penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.
Për shkak të sëmundjes, Kajmaku nuk qëndroi më shumë se 24 orë në burg. Çështjen e tij e kishte marrë në dorë Arta Marku, ish- kryeprokurorja e zgjedhur me votat e socialistëve. Ajo i kërkoi gjykatës zbutjen e masës së sigurisë, për shkak se të pandehurit i rrezikohej jeta në burg.
Kajmaku u kthye në shtëpi dhe çështja e tij u zbeh. Ish-kryebashkiaku i Vorës nuk u përmend më në publik dhe dalëngadalë kaloi në harresë.
Deri kur, kokëfortësia që ia kishte përmendur në fushatë Edi Rama e riktheu prap te fidanët dhe vazot me lule, problemet me ligjin, trafikun e kokainës dhe qelitë e burgut. Ndryshe nga çfarë ndodhte në Shqipëri, tani prokurorinë italiane e ka kundër. Ndërsa miqtë e vjetër në Partinë Socialiste i kanë kthyer shpinën./Lapsi.al