Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës dënimin me 167 vite burg në total për 16 të pandehurit e dosjes së njohur si “Shpirti”. Sipas SPAK ata janë fajtorë për akuzat e kultivimit dhe trafikut të kanabisit drejt Italisë duke vepruar si organizatë kriminale.
Dënimi më i rëndë u kërkua për Aleks Memajn, me 15 vjet burgim, si një nga drejtuesit e grupit. Për anëtarët e tjerë u kërkuan dënime nga 8 deri në 13 vjet burgim.
Ndërsa, për ish-policinë Festim Lelaj, i akuzuar për shpërdorim detyre, u kërkua dënimi me 3 vjet heqje lirie. Ata u vunë në pranga dy vite më parë, në kuadër të hetimeve të regjistruara në 2019 dhe që u kryen në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Ishin 4 bashkëpunëtorë drejtësie, 3 prej tyre në Itali, të cilët zbardhën rrjetin e trafikut dhe kultivimit të kanabisit. Të njëjtat hetime çuan të pandehur edhe 2 ish-truprojat e ish-ministrit Saimir Tahiri, për akuzat e kultivimit dhe trafikut të kanabisit, njëri prej të cilëve tashmë i dënuar.
Gjithashtu, bashkëpunëtorët e drejtësisë treguan se si ish-prokurori i Vlorës, Maksim Sota, edhe ky nën hetim për “Shpërdorim detyre”, dhe efektivi i policisë, Festim Lelaj, kishin mbajtur kontakte me anëtarë të grupit kriminal.