Gazetari investigativ Artan Hoxha ka deklaruar se çështja “CEZ-DIA” e cila është rikthyer në vëmendje sëfundmi, i ka shkaktuar një dëm prej 600 milionë eurove qytetarëve shqiptarë.
Hoxha u shpreh se në këtë çështje janë të përfshirë 3 palë, ish-qeveria Berisha, qeveria aktuale e socialistëve si dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
I ftuar në emisionin “Log”, Hoxha tha se kjo çështje nuk duhet të kufizohet vetëm tek ish-Presidenti Meta, teksa shtoi se në SPAK duhet të thirren edhe shumë figura të tjera politike.
Artan Hoxha: Nuk jam thirrur këtë vit në SPAK, por më parë. Kjo është një çështje, që për shkak të kohës së gjatë që është në derën e drejtësisë, është një çështje që nuk ka objektiv vetëm zotin Meta. Përfshin tre palët kryesore, ish-qeverinë e djathtë, njerëz të afërt të tij, qeverinë e majtë sot dhe zotin Meta që ka qenë në koalicion në mandatin e parë të qeverisë Rama. Është një çështje komplekse që ka të bëjë vetëm me një person të vetëm.
Nuk e di pse është zgjedhur zoti Meta i pari. Janë shumë njerëz të tjerë që janë të përfshirë. Kompania e operatorit u privatizua gjatë kohës së qeverisë Berisha dhe u kthye në shtetërore në qeverinë e PS-së. Meta është vetëm një person brenda këtë. Është një histori për 600 mln euro që rezulton si dëm tek qytetarët shqiptarë, nga keqpërdorimi i CEZ.
DIA është vetëm 1 nga 11 kompanitë që do mblidhnin borxhet e qytetarëve ndaj CEZ. U krijua një mekanizëm për të mbledhur kompanitë. Shteti borxhet e veta ua jepnin kompanive, ku gjysmën e mbanin vetë ndërsa gjysmën ia jepnin tjetrit. Shteti lehtësoi CEZ-in që përmes këtyre kompanive, të xhironte para nga thesi i vetë, t’ua jepte kompanive, të cilat mbanin gjysmën.
Mentor Kikia: E gjithë klasa politike shqiptare përfundonte në turbinë. Çfarë ka ndodhur tani që po hapet kjo çështje?
Artan Hoxha: Ky vendim i sekuestros, janë të vetmet para që i janë kthyer shtetit. Janë para që vinin nga rrugë bankare nga Zvicra. Pse u bë thirrja tani? Këtë nuk e di, është plani i punës së prokurorisë. Altin Dumani e ka hetuar çështjen në heshtje. Çështja ka nisur që në 2008-ën, është hetuar në 2012-ën dhe më pas është pushuar.
Është rihapur në 2015-ën, është pushuar sërish. Në 2016-ën nxorra disa përgjime, ku thonin se kjo si provë nuk vlen pasi ka një vendim asgjësimi. Ajo provë ishte asgjësuar. Vijmë tek çështja konkrete. Dumani ka bërë hetime, ka marrë dosje. Kemi një të dënuar, u tentua ta bënin bashkëpunëtor por nuk mundën. Në dosje kemi një dëshmi të dhënë ish-drejtuesi i CEZ-it. Kemi një dëshmi të dhënë në Austri të vitit 2014.