Qelit e paraburgimit në vend janë kthyer në vende ku të rinjtë po futen por disa nuk kanë fatin të dalin të gjallë. Viktima pas hekurave, për shkak të dhunës së ushtruar, për shkaqe natyror, apo tejkalim të kompetencave nga policat, po shtohen kohët e fundit.
Priza.al do të sjell një përmbledhje të ngjarjeve që kanë ndodhur në këto komisariate por jo vetëm duke nisur nga rasti i Ilvi Meta e deri tek Klodian Rasha.
Pasditen e 04.05.2022 Ilvi Meta 31-vjeç dyshohet se i dha fund jetës në në ambientet e komisariatit të Kavajës me lidhësen e kapuçit të bluzës.
Ngjarja e rëndë ka ngritur shqetësime në rrethin e ekspertëve të kriminalistikës dhe medias vendase.Një nga familjarët e Ilivi Metës ka thënë në media ditën e sotme, se një nga policët që e ka arrestuar i ka thënë vëllait të tij në telefon se po e arrestojnë kot. Dhuna psikologjike që i është ushtruar dyshohet të jetë dhe shkaku që e ka çuar të riun drejt aktit të rëndë.
Familjarët e viktimës ngrenë dyshime se mbi 31-vjeçarin është ushtruar dhunë. Të tjerë vënën në dukje presionin e madh psikologjik ndaj tij.
Pra zanafilla e të gjithë ngjarjes dyshohet të ketë nisur nga marrja në pyetje, ndërkohë që oficeri i policisë gjyqësore ende nuk është arrestuar.
Reagimi i AMP-së
“Kavajë –Më datë 04.05.2022, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen. Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të shtetasit I. M gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Procedura Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr.925, datë 19.07.2019 të DPPSH. Pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marre masa për parandalimin e ngjarjes. Në përfundim të hetimeve paraprake, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale e AMP-se Durrës) ka arrestuar në flagrancë 3 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal e konkretisht:
- Nënkomisar P. B., 61 vjeç, me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë;
- Inspektor B. B., 60 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë;
- Inspektor R. K., 59 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme.“
AMP deklaroi dje se ndaj të riut nuk është ushtruar dhunë. Por përpos këtyre fakteve dhe reagimeve, kjo nuk është hera e parë që punonjësit e policisë akuzohen për dhunë apo tejkalim të kompetencave.
Vrasja e Klodian Rashës
Rasti më i bujshëm është vrasja e Klodian Rashës nga polici Nevaldo Hajdaraj, i dënuar me 10 vjet burg për “vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”.
Rasha u ekzekutua pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës, pasi Hajdaraj e ndoqi për ta ndëshkuar për shkeljen e orës policore të vendosur për shkak të pandemisë dhe mos mbajtjen e maskës anti-Covid.
Efektivët i kanë bërë thirrje për të ndaluar që në zonën e Don Boskos, por ai është frikësuar dhe ka vendosur që të largohet me vrap. Pak orë pas ekzekutimit të tij, policia e shtetit publikoi versionin se viktima ishte i armatosur dhe në një moment është kthyer nga efektivët që po e ndiqnin, duke i drejtuar një objekt që në dukje ngjante me një armë zjarri.
Gjë që u përgënjeshtrua nga familjarët dhe më pas u rrëzua edhe nga ekspertët. Kjo hipotezë u përdor më shumë edhe pas gjetjes së një pistolete pranë vendit ku ndodhi ngjarja, por që më pas rezultoi se nuk i përkiste 25-vjeçarit.
Ndërkohë, policia sekuestroi dy gëzhoja dhe një predhë që dyshohet se kanë dalë nga arma e policit. I riu nuk mbërriti me shenja jete në spital, pasi plumbi që kishte marrë në kokë e kishte lënë të vdekur në vend. SHÇBA doli në përfundimin se veprimet e Hajdarajt, bien në kundërshtim me procedurat standardë të përdorimit të armëve të zjarrit dhe se nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Zjarri e qëllimshme i Arben Micit në Kamëz
Një ngjarje e rëndë u regjistruar pak më shumë se një muaj më parë, pikërisht në ambientet e një komisariati policie. Bëhet fjalë për komisariatin numër 5 në Kamzë, ku si pasojë e një zjarri të rënë në ambientet e dhomave të personave të ndaluar, 26-vjeçari Arben Mici humbi jetën i asfiksuar nga tymi.
Në këtë ngjarje, një tjetër i paraburgosur dhe një punonjës policie, u dërguan në spital, por pa pasoja për jetën. Mici, banues në Çerkezë, kishte dhunuar nënën e tij dhe ishte arrestuar. I mësuar me shoqërime të herëpashershme, ai ndezi dyshekun prej sfungjeri dhe duke u mbyllur në tualetin e nëndheshëm të komisariatit, priti fundin e jetës.
Nuk u përgjigj edhe atëherë kur policët e kërkonin nëpër tym dhe flakë. Teksa shumë pikëpyetje rëndojnë mbi policinë e Kamzës dhe çdo ambient tjetër paraburgimi në komisariatet e kryeqytetit, efektivi Hajredin Boja dhe inspektori Fatmir Isufi ndodhen në burg. Hetimet zbuluan se oficerët e sigurisë nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës, duke i lejuar të ndaluarit që të mbante në qeli një çakmak me vete, që shkaktoi një ngjarje me pasoja të rënda.
Ekspertët e kriminalistikës gjetën materiale batanijesh dhe sfungjeri, si dhe një paketë duhani me tetë filtra. Ndërkohë që në trupin e Arben Micit iu gjetën në xhepa pesë cigare, një paketë ‘Slims’, si dhe një çakmak me ngjyrë blu, me mbishkirmin “Bic”, ku këmbëza e gazit mungon. Sipas ekspertëve, brenda tij kishte k gaz, pasi u provua se çakmaku ndizej normalisht.
Vdekja e Enea Ftoit në Korçë
Vdekja e 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili humbi jetën në komisariatin e Korçës në 17 maj 2018, ka mbetur akoma e pazbardhur, të paktën sipas familjarëve.
Prokuroria e Korçës e ka pushuar hetimin në lidhje me rastin e vdekjes në komisariat të të riut.
Prokurori i kësaj çështje, ka deklaruar se fakti i ndodhur nuk përbën vepër penale dhe prandaj kishte vendosur që të pushonte hetimin.
Në përfundim të hetimeve, çështja iu dërgua gjykatës, me kërkesë për pushimin e çështjes, edhe pse Avokati i Popullit dyshon se kamerat nuk kanë funksionuar.
“Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë. 27-vjeçari vdiq për shkaqe natyrore, si pasojë e ishemisë akute të miokardit. Enea Ftoi ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe vuante nga problemet në mushkëri”, – referoi prokurori i çështjes asokohe.
Prokuroria mori dëshmitë e policëve dhe disa personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohën kur i riu ndodhej i shoqëruar. Por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës, thuhej në argumentimin e prokurorit. Enea Ftoi ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e paraburgimit të Korçës, ku kishte tre ditë që qëndronte, pasi ishte ndaluar për ‘vjedhje me dhunë’.
Ftoi, ditën kur ndodhi ngjarja, duhej të dilte në sallën e gjyqit për akuzën që rëndonte ndaj tij.
Ndonëse familjarët e prisnin në sallën e gjyqit, ata u njoftuan për ngjarjen e rëndë.
Fill pas ngjarjes, familjarët e viktimës hodhën akuza të rënda për policinë, pasi kishin dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim, gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen./Priza.al