Fashikuj gjyqësorë ngado. Mbi tavolinë, në sirtare, në dollap, mbi dollap, në tokë.Ky stok kaq i madh dosjesh presin të gjykohen nga vetëm një gjyqtar i vetëm dhe për dosjet e stivuara të hedhura në short për këtë gjyqtar si edhe për kolegët e tij në Gjykatën e Apelit, nuk mjafton një zyrë.
Edhe në paradhomë në vendin ku qëndron sekretarja gjyqësore dosjet kanë pushtuar dyshemenë dhe sirtarët për të vijuar më tej në zyrën e gjyqtarit , ku sërish dosjet nuk gjenden vetëm përtokë, por edhe në kolltukun ku gjyqtari ulet së bashku me fashikujt. Kjo është situata në Gjykatën e Apelit, ku fluksi është i lartë dhe të tjera vazhdojnë të vijnë.
Për gjyqtaren Edlira Petri 1500 dosjet që i kanë pushtuar zyrën njësoj si edhe kolegëve të saj në Gjykatën e Apelit Tiranë lidhen direkt me jetën e mijëra shqiptarëve që presin. Me një gjykatë të shkërmoqur nga Vettingu si edhe në çdo gjykatë tjetër në vend emërimet ecin ngadalë dhe Petri bën apel për të shpëtuar gjyqtarët dhe drejtësinë e cila tanimë është bërë stok edhe në gjykatën më të madhe në vend, atë të kryeqytetit.
“Të gjendet një mekanizëm që të bjerë fluksi, mbase të shikohet mundësia që ata që janë në stazh vitin e tretë të sillen, di që ka qenë një ide pse jo të vlerësohet”, tha Petri.
Gjatë kësaj jave numri i gjyqtarëve në Apel shkoi 14 dhe të rinjtë u panë nga kolegët si lajmi më lehtësues, kjo solli rishortim të dosjeve edhe njëherë nga fillimi.
“Gjej rastin t’u bëj apel qytetarëve të paraqiten e të shikojnë se me kë u ka rënë çështja pasi janë rishortuar“, tha ajo./topchannel