Drejtoria e Shërbimit të Përgjithshëm të Transportit Rrugor dha lajmin e ri për shoferët shqiptarë. Në një njoftim të fundit në faqen zyrtare, DPSHTRR bën me dije se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka autorizuar institucionin e saj për njohjen e dokumenteve në gjuhën angleze dhe të vendeve të BE lidhur elementet teknik dhe fitimit të pronësisë.
Shoferët janë të detyruar për të përkthyer e noterizuar dokumentet e automjeteve kur janë në gjuhën koreane, kineze, arabe, pra, jashtë vendeve të BE.
NJOFTIMI I DPSHTRR:
Tjetër RISI e LAJM I MIRË nga DPSHTRR! Eliminojmë angari, kohë pritjeje e sidomos kosto të tepërta për qytetarët e subjektet që regjistrojnë mjete rrugore për herë të parë! Heqim rreth 60 mijë praktika në vit që kërkonin përkthime e noterizime njësie me origjinalin nga dokumentat në gjuhë të huaja, pagesa të larta (1 praktikë rreth 4,500-6,000 lekë!), orë e orë vërdallosje kioskave e lojrave të sekserëve, në vlera që konkuronin dhe vetë koston e targimit të mjetit! Me propozimin e DPSHTRR, bazuar në sistemet e reja operative e informatike që garantojnë verifikim në kohë reale të të dhënave të mjetit si edhe në respekt të vizionit të e-qeverisjes e eliminimit të letrave, shkresave, burokracive dhe vetëdeklarimit e ndërveprimit mes strukturave të shërbimeve publike, u miratua sot Udhëzimi 1, dt. 18.1.2022 nga MIE që autorizon njohjen nga DPSHTRR të çdo dokumenti origjine në gjuhën angleze dhe çdo dokument teknik nga prodhuesi apo të fitimit të pronësisë nga vendet e BE ose me kodet e Direktivave KE! Përkthimi e noterizimi do të kërkohet vetëm për dokumentat në gjuhën kineze, arabe, koreane, etj, që përbëjnë një numër minimal rastesh!
/Priza.al/