Përcjellja për publikun e mënyrës se si institucionet shtetërore shpenzojnë paratë e taksapaguesve është një prej misioneve kryesore të medias dhe me një rol jetik në luftën dhe përpjekjet kundër korrupsionit.
Por, ndodh që edhe në rastet kur institucionet bëjnë vetë transparencë se si i kanë shpenzuar këto para, mediat shkëpusin fjalë, fjali apo paragrafe nga konteksti në përpjekje që të prodhojnë ‘skupin’ e radhës financiar edhe aty ku nuk ka një të tillë.
I tillë është rasti i një gjoja investigimi publikuar në një portal të mbështetur financiarisht nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Investigimi në fjalë paraqiste se si Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor kishte kryer një pagesë sociale për Top Channel me vlerë 67 mijë euro.
Kaq mjaftoi dhe lajmi u mor e u përpunua nga portale të tjera, të cilat për klikime iu bashkuan dallgës të investigimit të bazuar në një copë letre marrë ‘print screen’ nga vetë deklaratat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, madje duke pretenduar edhe se kishin zbuluar skemë korruptive se si kapeshin mediat.
E thënë më thjesht, autorët e artikullit kanë paraqitur si investigim të tyrin një deklaratë dhe të dhënë të bërë transparente nga vetë institucioni. Por, ky nuk është problem kryesor. Problemi kryesor është fakti që në shkrim thuhet vetëm gjysma e të vërtetës, sepse po të thuhej gjysma tjetër do të kuptohej se pagesa ka qenë sociale, por jo për Top Channel.
Ajo që nuk thuhet në artikull është fakti që 67 mijë eurot e paguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor janë para të shpenzuara për realizimin e një serie emisionesh me titullin “N’Timon” me tematika mbi edukimin dhe sigurinë rrugor.
Shifra është gjysma e kostos së realizimit të këtyre emisioneve, rreth 40 të tilla dhe që janë lehtësisht të verifikueshme edhe sot e kësaj dite në kanalin zyrtar të Youtube të Top Channel. Objektivi është një fushatë edukuese për qytetarët në njohjen dhe respektimin e sinjalistikave rrugore nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga këmbësorët.
Emisione të tilla edukuese përmes masmediave nuk janë as praktikë e shpikur në Shqipëri dhe aq më pak të jenë korruptive. Qëllimi i ciklit të emisioneve është njohja e qytetarëve me kodin rrugor, rregullat e qarkullimit, edukimin në respektimin e sinjalistikës e të tjera informacione e kuriozitete…që ndoshta mund të vlejnë më së shumti për ndonjë gazetar që e ka marrë lejen e drejtimit të automjetit në moshë të vonë.