Të ardhurat e personave fizikë të vetëpunësuar në aktivitet tregtar dhe shërbime pritet të taksohen sipas tatimit mbi të ardhurat personale, pasi t’u zbriten shpenzimet e supozuara.
Ministria e Fianancave dhe Ekonomisë ëshë duke përfunduar draftligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat personale. Projektligji parashikon që me sistemin e ri të taksohen të ardhurat nga biznesi i çfarëdo lloji, duke përfshirë personat fizikë tregtarë të vetëpunësuar, furnizuesit e shërbimeve, qiradhënien apo tjetërsimin e aseteve të biznesit, apo prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
Drafti përcakton se ndryshimet i shtrijnë efektet nga 1 janari 2023. Nga këto ndrshime do të trajtohen të gjithë të vetëpunësuarit persona fizikë. Ndërsa subjektet Shpk i trajton pjesa e dytë, tatimi i korporatës
Eksperët e kontabilitetit e konsiderojnë nismën të gabuar, pasi synohet të zbatohet sipas tyre një sistem empirik për llogaritjen e të ardhurave, duke anashkaluar investimet në tatime për sistemin E-cast dhe fiskalizimin. Kontabilistët pohuan se ky sistem është aplikuar 70 vjet më parë në Europë. Shteti i fundit që e ka zbatuar ka qenë Britania e Madhe, kur vendi drejtohej nga kryeministrja Margaret Theçer.
Në projektligj në nenin 14 përcaktohet se nga të ardhurat e biznesit, fillimisht do të zbriten shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme, duke mos pretenduar dokumentimin e çdo shpenzimi.
Në shpenzimet e supozuara do të përfshihen edhe pagat e punonjësve, pagesat e qirave, dritave etj. Konkretisht për veprimtaritë prodhuese do të zbriten 60 % të të ardhurave; 80 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë; 70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual; 60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante; 50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve dhe artizanatit dhe 35 % të të ardhurave për veprimtaritë e pavarura. Pjesa e mbetur e të ardhurave, pas zbritjes së shpenzimeve të supozuara do të tatohen si të ardhura personale.
Në draft ende nuk janë të shpalluara sa do të jenë përqindjet e tatimit. Burime nga qeveria për Monitor thanë se parashikohet që të vendoset tatimi progresiv, sipas shkallëve që po zbatohen te të punësuarit. Ndërsa norma zero e tatimfitimit për bizneset e vogla me xhiro deri 14 mln lekë do të vazhdojë të zbatohet deri më 2029.
Drafti
Neni 7
Tatimpaguesi
Çdo individ apo person fizik është përgjegjës dhe i nënshtrohet detyrimit të tatimit mbi të ardhurat personale (‘tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale’).
Neni 10
E ardhura e tatueshme
1)Për qëllime të tatimit mbi të ardhurat personale, merren si të ardhura të tatueshme:
- Të ardhura nga punësimi;
- Të ardhurat nga biznesi;
- Të ardhurat nga investimet;
- Të ardhura të tjera.
2)Të ardhurat janë të tatueshme pavarësisht nëse paguhen në të holla ose në natyrë.
3)Të ardhurat në natyrë vlerësohen me vlerën e tregut, për aq sa nuk përcaktohet ndryshe në këtë ligj.
4)Transaksionet ndërmjet palëve të lidhura duhet që për qëllime të këtij ligji, të vlerësohennë përputhje me parimin e tregut , siç përcaktohet në nenin 47;
Neni 13
Të ardhurat nga biznesi
1)Të ardhurat nga biznesi përbëhen nga të ardhurat sipas paragrafeve “a” deri “c” në vijim, nëse nuk janë përcaktuar si të ardhura nga punësimi sipas Nenit 12 të këtij ligji:
a.Të ardhurat nga biznesi i çfarëdo lloji, duke përfshirë personat fizikë tregtarë të vetëpunësuar, furnizuesit e shërbimeve, qiradhënien apo tjetërsimin e aseteve të biznesit, apo prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
b.Të ardhurat nga aktivitete të pavarura.
c.Të ardhurat e çdo lloji për përdorimin ose të drejtën e përdorimit të: të drejtës së autorit të punës letrare, artistike ose shkencore; çdo patente, marke tregtare, skice ose modeli; plani, proçesi ose formule sekrete; procesi pune; ose cdo pajisje industriale, komerciale apo shkencore ose informacion (knoë-hoë) lidhur me eksperiencën industriale, tregtare apo shkencore.
2)Të ardhurat vjetore të tatueshme nga biznesi, përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të biznesit, pakësuar me shpenzimet përkatëse të dokumentuara dhe të kryera me qëllim fitimin, ruajtjen dhe sigurimin e të ardhurave. Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit duhet të llogariten në përputhje me Pjesën 4 të këtij ligji.
Neni 14
Shpenzimet e Biznesit në një Shumë të Vetme
1)Nëse xhiro e tatimpaguesit nuk i kalon [10,000,000] Milionë Lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë, duke mos pretenduar dokumentimin e çdo shpenzimi.
a)60 % të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;
b)80 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë
c)70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual
d)60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante;
e)50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve dhe artizanatit;
f)35 % të të ardhurave për veprimtaritë e pavarura.
Bazuar në Kodin e veprimtarive ekonomike, dhe me Vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohen veprimtaritë analitike sipas gërmave “a” deri “f” të mësipërme.
Neni 22
Baza Tatimore Vjetore
1)Baza tatimore vjetore përbëhet nga:
a.Të ardhurat vjetore të tatueshme e punësimit;
b.Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit;
c.Të ardhurat vjetore të tatueshme të investimeve;
d.Të ardhurat e tjera vjetore të tatueshme.
2)Baza tatimore vjetore zvogëlohet me kompensimet dhe zbritjet e përcaktuara sipas këtij ligji. Nëse diferenca midis të ardhurave vjetore të tatueshme dhe shumës totale të kompensimeve dhe zbritjeve është negative, baza tatimore vjetore konsiderohet të jetë zero.
Neni 23
Zbritjet nga baza tatimore
1)Tatimpaguesi i të ardhurave personale mund të zbresë nga baza tatimore për periudhën tatimore
a.një shumë kompensimi personal prej 480.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë deri 480.000 lekë;
b.një shumë kompensimi personal prej 360.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 480.000 lekë;
c.një shumë kompensimi për cdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët prej 48,000 lekë.
2)Tatimpaguesi rezident i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi dhe të ardhura vjetore të tatueshme nga investimi më pak se 2.000.000 lekë mund të zbresë përveç kompensimeve individuale sipas paragrafit 1 më sipër, shpenzimet korrente për:
a.Shpenzimet për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë;
b.medikamentet për fëmijët e tij ose në ngarkim të tij dhe personave që ka nën kujdestarinë e vet, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve në Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Neni 26
Norma tatimore
1)Norma tatimore e të ardhurave personale e zbatueshme për bazën tatimore vjetore të të ardhurave nga punësimi dhe të ardhurave nga biznesi është si vijon:
Baza tatimore vjetore Norma tatimore
0 – 2.400,000 13%
Mbi 2,400,000 dhe nën 24,000,000 23%
Mbi 24,000,000 28%
2) Norma tatimore e të ardhurave personale e zbatueshme për bazën tatimore vjetore e të ardhurat vjetore nga investimi është 15%, me përjashtim të të ardhurave vjetore nga dividentet dhe ndarjet e fitimit që është 8%.
3)Norma tatimore e të ardhurave personale për të ardhurat vjetore nga burime të tjera është 15%./ monitor