Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi gjatë një prononcimi për mediat këtë mëngjes ka zbuluar se kanë kontaktuar me kompaninë sllovene CETIS, fituese e tenderit për printimin e fletëve të votimit. Kompania është shprehur se me variantin e ri, nuk do të ketë më probleme në printim apo transport.
“Kemi komunikuar sot në mëngjes me përfaqësuesit e kompanisë sllovene. Në këtë format ata mundet të qëndrojnë afateve që kemi kërkuar për printimin dhe për sjelljen e fletëve të votimit këtu në KQZ. Procesi është më i thjeshtë se kemi një fletë votimi më të vogël. Nuk kemi asnjë lloj problemi me printimin dhe me transportin e fletës së votimit. Do jetë e njëjtë në të gjitha qarqet. Në disa qarqe do të jenë edhe kandidatë të pavarur”, tha kreu i KQZ.
“Nëse do të kishte edhe një vonesë më shumë për versionin përfundimtar kostot do të ishin më të mëdha se do duhej të paguhej për transportin dhe kushteve të emergjencës. Por tashmë kemi mirëkuptimin e kompanisë dhe pse jemi vonë ata brenda përmes kushteve do e printojnë dhe sjellin fletën e votimit.” u shpreh Celibashi.
Disa ditë më parë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mori një letër nga kompania sllovene CETIS. Shqetësimi i tyre lidhej me vështirësitë që do të përballej kjo kompani për sa i përket gjatësinë së fletës së votimit, por tashmë gjithçka është e mundur.
Ndërkohë Celibashi është shprehur se është përgatitur edhe një program që pritet të transmetohet për publikun ku shpjegohet se si do të votohet. “Do bëjmë edhe të pamundurën që votuesit të kuptojnë qartë. Kemi një program që do të shkojë në syrin dhe veshin e çdo votuesi se si do plotësohet një fletë votimi.”