Familjarët e autorit të masakrës në Tiranë, Dan Hutra, kanë folur ditët e fundit në media për ngjarjet e rënda dhe të shkuarën e tij kriminale, në disa raste edhe duke e justifikuar.
Së fundi ka qenë vëllai i Hutrës ai që ka reaguar, duke theksuar se ka vite që nuk flet me autorin e krimit të rëndë. Gjatë një interviste, ai u ka kërkuar falje publike familjeve të viktimave.
Ai ka treguar se kontaktet me Dan Hutrën i ka shkëputur kur ai vrau gruan e parë, teksa sqaroi edhe dënimin e tij në vitin 2003, që sipas tij ishte për dhunim dhe jo për përdhunim.
Pjesë nga intervista:
Gazetari: Ju jeni vëllai i Dan Hutrës, pse kërkuat të flisnit, çfarë doni të thoni?
Vëllai i Dan Hutrës: Në radhë të parë dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella që dalin nga zemra e një njeriu familjarëve të viktimave, që humbën jetën krejt kot tre vajza në lule të jetës. Kjo ishte një masakër, që masakra të tilla unë 45 vjeç kam përjetuar vetëm në vitet kur serbi ka bërë mbi kosovarët. E dyta ai kriminel ai është vëllai, por më nuk është vëllai im edhe kush më njeh, e di që prej vrasjes së parë që ka bërë ne e kemi mohuar si vëlla
Gazetari: Pra në vitin 2007 kur Dan Hutra vrau gruan e parë, ju keni shkëputur kontaktet me vëllain tuaj?
Vëllai i Dan Hutrës: Unë edhe vëllai tjetër. Edhe kur kam biseduar me familjarët e viktimës së parë, i kam thënë që ai nuk është më vëllai im, për mua të veprojë drejtësia, të veprojë kush të dojë për mua nuk më intereson se çfarë bëhet me atë njeri, se jetën ta ka dhënë Zoti dhe ta merr vetëm Zoti dhe jo njeriu.
Gazetari: Dan Hutra është dënuar për herë të parë në vitin 2003, me dy vite burgim, çfarë di për këtë rast dhe pse u dënua?
Vëllai i Dan Hutrës: Këtu dua të ndalem sepse edhe mediat, më vjen shumë keq ka edhe gazetarë që për të mbushur emisionin e vet hedh shumë baltë. Në vitin 2003 Dan Hutra është dënuar se ka mbyllur nënën dhe njërën prej kunatave në dhomë që të mos lajmërojnë policinë. Për dhunim dhe jo për përdhunim, sepse përdhunim është marrëdhënie seksuale, është dënuar për dhunim
Gazetari: Pra në vitin 2003 është dënuar për dhunim
Vëllai i Dan Hutrës: Jo për përdhunim, për dhunë.
Gazetari: Për dhunë, po e kuptoj.
Vëllai i Dan Hutrës: Për dhunë dhe atij i është vënë si përdhunim dhe nëse është përdhunim kapni atë gjykatës çojeni në vend të atij kriminelit sepse për përdhunim duhet të marrë nga 7 deri 15 vite burg siç e thotë ligji shqiptar dhe jo dy vite sa është dënuar ai.
Gazetari: Pas këtij krimi që është dënuar me dy vite burg, ai është dënuar në vitin 2007 kur vrau gruan e parë në mënyrë mizore, çfarë di, çfarë konflikti kishte Dan Hutra me gruan e parë? Përse e kreu krimin makabër?
Vëllai i Dan Hutrës: Unë dhe vëllai tjetër as nuk jemi marrë, as nuk kemi pasur qenë takuar me familjarët e saj, as nuk kam fol kurrë, vetëm pas ngjarjes i kam marrë për ngushëllime familjarët edhe i kam thënë për ne jeni të lirë, të veprojë drejtësia./bw