Drejtësia ‘ZGJOHET’ për ‘Fondin BESA’/ Prokuroria dhe SPAK nisin hetimet për ‘pastrim parash’

Vetëm një ditë pasi “Priza.al” botoi një shkrim ku ngriti shqetësimin se Prokuroria dhe SPAK nuk po merreshin dhe se e kishin harruar skandalin e mashtrimit me kreditë dhe të dhënat personale të tjetërsuara nga “Fondi Besa”, na erdhi një lajm i jashtëzakonshëm…

Burime konfidenciale nga Prokuroria e Tiranës i thanë “Priza.al” se prej një muaji ka nisur një hetim i thelluar mbi skandalin e mashtrimit financiar me fenomenin e kredive nga “Fondi Besa”.

Sipas burimeve, “me urdhër të posaçëm Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim të thelluar mbi ‘Fondin Besa’ nisur edhe nga materialet që janë publikuar në media të ndryshme, ku si indicje ka qenë edhe portali ‘Priza.al’”.

Burimet na thanë më tej se, “në këtë hetim janë marrë për bazë edhe padi të ngritura kundër ‘Fondit’ edhe nga klientë të ndryshëm që pretendojnë se janë mashtruar, vjedhur apo u janë tjetërsuar të dhënat dhe zhvatur pronat ose asetetet e lëna si kolateral”.

Sipas informacionit, në këtë hetim ku janë përfshirë përveç Prokurorisë së Tiranës edhe Sektori i Krimit Ekonomik dhe Parandalimit të Pastrimit të Parave, janë marrë në shqyrtim emra dhe raste për të cilat ekzistojnë prova të shumta.

Ndërkohë “Priza.al” ka mësuar gjithashtu nga të tjera burime se një hetim paralel me këtë ka nisur edhe nga SPAK-u, pas çuarjes aty të disa padive mbi aktivitetin e dyshimtë të “Fondit Besa” sidomos në sektorin e pastrimit të parave dhe bashkëpunimit edhe me banka të nivelit të dytë.

Nisur edhe nga kjo, “Priza.al” ka grumbulluar të tjera fakte dhe prova që e vërtetojnë gjithë atë histori skandali që kemi treguar në të paktën 30 botime investigimi rreth aktivitetit të dyshimtë të institucionit të mikrokredive “Fondacioni Besa”.

Por të tjera fakte janë bërë të ditura nga burimet nga Prokuroria e Tiranës, për të cilat nuk mund të zbardhim ende çdo gjë, për të mos ndikuar në këtë hetim dhe për të mos prishur sekretin e çështjes.

Por i vetmi fakt që duam të ndajmë me lexuesin tonë dhe me të gjitha viktimat e “Fondit Besa”, të cilëve u jemi zotuar se do t’ua çojmë deri në fund kauzën, është fakti se paralel me aktivitetin e “Fondit”, një hetim ka nisur edhe për prokurorët që deri tani kishin zhdukur provat apo kishin vonuar hapjen e çështjeve.

Po ashtu dy hetime, njëri nga SPAK dhe tjetri nga Ministria e Drejtësisë kanë nisur tashmë edhe për noteret e përfshira në të gjitha allishverishet me “Fondin Besa”, duke bërë me anë të dokumenteve të rremë viktimat në fajtor dhe duke u zhdukur pronat.

Në ditët në vijim “Priza.al” do të nisë me fakte dhe denoncime të reja mbi këtë aferë të “Fondit Besa”, si dhe duke bërë publik të gjithë emrat në sistemin e drejtësisë që deri tani e kanë favorizuar fondacionin e drejtuar nga Bajram Muçaj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *