Konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Lulzim Bashës, por ambicja për të drejtuar partinë më të madhe të opozitës, duket se e ka bërë biznesmenin e sukseshëm që t’i kundërvihet edhe mikut të tij.
Është pikërisht Agron Shehaj, emri më i fundit i përfolur pas humbjes në zgjedhje të Partisë Demokratike, që ka vendosur të garojë zyrtarisht për kryetarin e ri të PD. Lajmin e jep vetë Shehaj, në një postim në rrjetet sociale.
Agron Shehaj, kandidon për kryetar të PD-së, duke e postuar këtë njoftim në ‘Facebook’.
Shehaj thekson se, konkurrimin nuk e sheh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët, që dëshirojnë që partia të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.
Reagimi i plotë i Agron Shehajt:
“Shqipëria ka sot nevojë për opzitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!
Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.
Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.
Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.
Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej”.
/Priza.al/