Drejtoresha e AKSHI flet për herë të parë në lidhje me skandalin e pagave: E-albania është e sigurt, mirëmbahet nga Microsoft

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj, ka reaguar në lidhje me skandalin e publikimit të listpagesave të më shumë se 630 mijë qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për shtyp në krah të kryeministrit Rama, Karçanaj siguroi qytetarët se sistemi i mbajtjes së të dhënave personale në e-Albania është i sigurt.

Ajo theksoi se platforma aktualisht mirëmbahet nga Microsoft dhe së shpejti do të futet dhe teknologjia “Blockchain”, e cila do të sigurojë dhe lënien gjurmë të personave që mund të aksesojnë të dhënat personale përmes ndërveprimit të brendshëm.

Në fjalën e saj, drejtoresha e AKSHI, nuk dha një përgjigje të qartë se nga mund të ketë ardhur rrjedhja e të dhënave personale.

“E kam shumë të rëndësishme të sqaroj qytetarët se e-Albania është një sistem i sigurt, ta përdorin në mënyrë të sigurt sistemin.

Platforma mirëmbahet nga Microsoft duke mundësuar një siguri të plotë të informacionit aty. Kryefjala jonë në të ardhmen është “BlockChain”, të cilin do ta përdorim për sistemin e pronave, duke i bërë ato të pandryshueshme edhe nga personat e Kadastrës, por edhe nga sulme mbi sistemin. Kemi kaluar nga 6 regjistra që flisnin mbi njëri tjetrin në 30 të tilla dhe po vijojmë dhe me të tjerë.

Për fat nga marrëveshja e tetorit do të përfitojmë të kemi një bashkëpunim me “Johns Group International”, kam parë prezantimet e para të out-put-eve, kjo do të ndihmojë për certifikimin e të gjithave sistemeve me ISO. Desha të theksoj se AKSHI ka qendrën të verifikuar me ISO 701 për sigurinë e informacionit dhe ISO 901 për menaxhimin e informacionit. Sistemi i tatimeve nuk është i certifikuar nga ISO por jemi në proces”, tha Karçanaj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *