Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Jeta Dedja, ka njoftuar se produktet “Wudy” që kanë hyrë në Shqipëri janë të sigurta. Dedja thekson se ato janë të çertifikuara dhe nuk janë të prekur nga virusi “Listeria”.
Një javë pasi AKU njoftoi se kishte marrë informacion nga “Sistemi i Menjëhershëm i Raportimit” i Bashkimit Europian se në disa lote të produktit “Wudy” është raportuar prezenca e ngarkesës virale, drejtoresha e këtij institucioni ka deklaruar se “Lotet që kanë rezultuar problematike, nuk janë lote që kanë hyrë në Shqipëri”.
Pak ditë më parë, kompania italiane “AIA”, e cila prodhon ndër të tjera edhe “Wudy”, raportoi në strukturat përkatëse të Bashkimit Europian se disa prej produkteve të saj janë kompromentuar, për shkak të anomalive në një prej impianteve të saj të pasterizimit.
Njoftimi i kompanisë “AIA” iu shpërnda menjëherë në 32 vende që importojnë produktet “Wudy”, përfshirë shtete të Bashkimit Europian apo edhe të tjerë, ku ndër to është edhe Shqipëria.
Kompania ka njoftuar gjithashtu se ka nisur tërheqjen nga tregu të disa lotëve të produktit “Wudy”, për të kryer ri-verifikimet dhe për të ri-hedhur në treg.
Sipas drejtoreshës së AKU, një masë e tillë është marrë edhe nga autoritetet shqiptare.
Jeta Dedja sqaron se njoftimi nga struktura e Bashkimit Europian ka qenë vetëm për disa lote por, jo për të gjithë produktet “Wudy”. Ajo shton se fakti që AKU njofton tërheqjen e disa lotëve, nuk do të thotë që ato lote e kanë pasur atë ngarkesë virale. Është një mënyrë monitorimi tërheqjen nga tregu për të parandaluar çdo rrezik.
“Nuk do të thotë që ato lote e kanë pasur këtë ngarkesë. Është mënyra sesi ne monitorojmë tërheqjen e një produkti nga tregu për të parandaluar ndonjë rrezik të mundshëm. E njëjta gjë ka ndodhur me një produkt të çokollatës, që ishin disa produkte me prani të salmonelës në Mbretërinë e Bashkuar. Ne e tërhoqëm atë produkt, pavarësisht se ai produkt nuk kishte problematika. Kjo është një mënyrë që i bën mirë operatorit të biznesit ushqimor, sepse tregon një lloj ndërgjegjësimi”, deklaron Dedja.
Sipas Dedjas, për shumicën e këtyre produkteve, tërheqjen nga tregu e ka kërkuar vetë kompania “AIA”, me qëllim për të mbrojtur konsumatorin, për mbrojtjen e brandit të vet dhe për të përcaktuar mënyrën se si do të rihidhet në treg.
Më tej, drejtoresha e AKU-së, ka dhënë garanci se produktet “Wudy” që kanë ardhur në Shqipëri, janë të rregullta dhe pa asnjë problematikë.
“Ëudy që kanë hyrë në Shqipëri nuk kanë pasur problematika. E kemi këtë siguri, pasi produktet që hyjnë rregullisht në pikat tona kufitare kanë garancinë nga autoritetet homologe, të cilat lëshojnë çeritifikatat përkatëse. Po ashtu, edhe Instituti i Shëndetit Publik thotë që nuk janë evidentuar raste të kontaminuara në produktet “Wudy” që kanë hyrë në vendin tonë”, shton më tej Dedja.
Pas marrjes së njoftimit që disa produkte “Wudy” ishin kontaminuar drejtoresha e AKU-së shpjegoi edhe procedurën se si u veprua.
“Çdo institucion i atashuar pranë Sistemit të Menjëhershëm të Raportimit të Bashkimit Europian, përfshirë edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri, është i detyruar që të prezantojë në mënyrë javore masat e marra pas dërgimit të informacionit. AKU vendosi tërheqjen nga tregu të disa loteve të produkteve “Wudy”, si një masë paraprake mbrojtëse për shëndetimin e konsumatorëve, por edhe si një kërkesë e vetë kompanisë prodhuese mëmë “AIA””, thotë Dedja.
Sipas drejtoreshës, tërheqja nga tregu ka qenë e lehtë, pasi produkti është lehtësisht i gjurmueshëm.
“Kompania Wudy ka ndjekur sistemin e gjurmimit për të tërhequr produktin nga tregu. Ajo që dua të shtoj është se prania e një etikete në gjuhën shqipe, që ka të shënuar datën e prodhimit, datën e skadencës, përbërësit etj, tregon se ky është një produkt që ka kaluar në duart e AKU.
Pas verifikimeve të kryera nga AKU, rezultoi se lotet e produkteve “Wudy” që kanë hyrë në tregun shqiptar janë nuk janë pjesë e atyre që kanë rezultuar problematike në stabilimentin e kompanisë prodhuese. Produktet “Wudy” që janë sot në tregun shqiptar janë të sigurta dhe të çertifikuara”, përfundon drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Jeta Dedja.