Në lidhje me ngjarjen e rëndë ndodhur një ditë më parë në Gramsh, ku humbi jetën një 15-vjeçar, është prononcuar edhe drejtoresha e shkollës “Asllan Shahini”, Ardiana Hasa. Ajo kujton se Fatjon Bicin (viktimën) e ka njohur shumë të vogël dhe se gjatë viteve ka parë rritjen e tij. Ardiana Hasa rrëfen se Fatjoni ishte një djalë shumë i qetë e aspak problematik. Ajo e ka njohur që në kopsht, dhe gjatë gjithë këtyre viteve nuk e ka qortuar për asgjë. Drejtoresha tregon se ngjarjen e mësoi kur e kanë njoftuar nëpërmjet telefonit nga nëndrejtoresha, pasi ajo është sinjalizuar e para për këtë ngjarje të rëndë.
“Ngjarjen e mësova nga telefoni nga nëndrejtoresha, pasi ajo ka qenë dhe e para që ka marrë lajmin. Më ka thënë se nxënësit e shkollës sonë ishin zënë me thika, pastaj jemi nisur te urgjenca të gjithë bashkë, pasi kishte mbaruar mësimi dhe aty tentova që të takoja mjekun kirurg por nuk e takova. Pasi fola në telefon, më konfirmoi se kishte ndërruar jetë.
Sipas nxënësve të tjerë, ato janë takuar në një fushë basketbolli në mes të lagjes, ku pas një debati me tone të larta, ku janë shqetësuar banorët e lagjes dhe dikush ka dalë dhe ka kërkuar që të pushojnë, pas 10 minutash janë dëgjuar thirrjet për ndihmë, ku Fatjoni sipas banorëve ka bërë katër hapa dhe më pas është rrëzuar. Banorët kanë qenë ato që e kanë thirrur edhe ambulancën. Unë Fatjonin e kam marrë në kopsht, e kam rritur me sytë e mi, dhe asnjëherë nuk e kam thirrur dhe ta qortoj për një gjë Fatjonin”, ka thënë ajo.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në Gramsh, dhe shkak për sherrin mes të rinjve kanë qenë disa komente në rrjetet sociale. Kushërinjtë Marko dhe Fatjon Bici sipas shokëve të tyre, kishin lënë të sqaroheshin pas mësimit. Në debat e sipër 15 vjeçari Marko Bici ka përdorur thikën për t’i qëlluar bashkëmoshatarit të tij. Fatjon Bici, 14-vjeç ka tentuar ta ndalë kushëririn e tij por ka mbetur vetë i plagosur. Për shkak të plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Gramshit.