Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale ka gjobitur Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve pasi e ka shpallur fajtor për publikimin e database te pagave të mbi 637 mijë shqiptarëve, të cilat qarkulluan nëpërmjet aplikacionit Whatsapp tek qytetarët një vit më parë.
Në vendimin e publikuar në muajin Nëntor të vitit 2022 komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale ka konstatuar 6 shkelje ligjore nga tatimet për të cilat janë vendosur edhe masat administrative.
Gjoba është 25 mijë euro dhe Zyra e komisionerit në hetimin administrativ nga provat e administruara ka konstatuar se tatimet ndonëse kanë miratuar një rregullore në funksion të sigurisë së informacionit, nuk ka vendosur rregullat për zbatimin e rregullores. Gjithashtu në vendim komisioneri thotë se tatimet nuk kanë trajnuar si duhet kapacitetet e duhura njerëzore.
Skandali me të dhënat private të shqiptarëve ku u publikuan pagat e mbi 637 mijë punonjësve publik e privat, krahas së cilës tregohet edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë vuri në alarm prokurorinë një vit më parë e cila nisi hetime për Drejtorinë e Tatimeve nga dyshohet se mund të ketë rrjedhur informacioni./bw