Drogë, plagosje e ndërtim pa leje, arrestohen 5 persona në Korçë

Pesë persona janë vënë në pranga pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se një prej tyre ishte shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për B. A., 39 vjeç, banues në fshatin Taç, Kolonjë, që akuzohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. A. B., 32 vjeç, banues në Pogradec u vu n pranga pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për të, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Të tjerët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi i policisë Korçë:

Vihen në pranga 5 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim dhe procedohen penalisht 3 të tjerë për vepra të ndryshme penale. Në vijim të informacionit datë 05.05.2022, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim B. A., 39 vjeç, banues në fshatin Taç, Kolonjë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Në vijim të operacionit antidrogë, të koduar “Mesnata”, të finalizuar më datë 10.04.2022, si rezultat i të cilit u ndaluan 2 shtetas dhe u sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit A. B., 32 vjeç, banues në Pogradec. Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, kishte dijeni për aktivitetin kriminal që ushtronin dy të ndaluarit por nuk kishte kallëzuar pranë organeve të rendit. Gjithashtu 32-vjeçari, organizonte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit në lokale të ndryshme të qytetit të Pogradecit, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua një aparat celular dhe një sasi lekësh. Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasit M. S., 49 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, ky shtetas u kap duke kryer në ambientet e jashtme të biznesit të tij bar kafe, punime ndërtimi pa lejen e organeve përkatëse.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për veprën “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” për shtetasin L. V., 25 vjeç, banues në Grudë e Re, Shkodër, pasi ky shtetas në dalje të qytetit të Pogradecit, duke drejtuar mjetin tip “Citroen”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasit K. H., 34 vjeç, banues në Pogradec, pasi në rrugën Qafë Thanë-Pogradec, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Minikuper”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por më pas u kap e ndalua. Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se drejtuesi i mjetit, drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” i shtetasit N. V., 43 vjeç, banues në Pogradec. Mbrëmjen e djeshme, ky shtetas në rrugën Petrushë-Pogradec, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Benz”, është përplasur me automjetin tip “Suzuki” pa targa, me drejtues shtetasin K. K., 35 vjeç, banues në Pogradec. Për pasojë u dëmtua shtetasi K. K., i cili pasi mori mjekim në Spitalin e Pogradecit u transportua në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pasagjeri i mjetit “Suzuki”, shtetasi J. M., 27 vjeç, banues në Pogradec, i cili ndodhet në Spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filluan procedimin penal për veprën “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” për shtetasin P. N., banues në fshatin Drenovë, Korçë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale një armë gjahu çifte, të cilën e posedonte pa leje. Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, e shtetasit E. G., 47 vjeç, banues në Korçë, pasi mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 8, Korçë, ky shtetas ka goditur me grushte dhe ka kanosur me thikë, shtetasin E. B., 37 vjeç, banues në Korçë. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *