Festimet për 28 nëntorin, në 110-vjetorin e Pavarësisë kanë kulmuar me festivalin e këngëtares me famë botërore, Dua Lipa në Sheshin ‘Skënderbej’. Koncerti ka nisur me këngëtaren Elvana Gjatën dhe këngën ‘Kuqezi’. Në shesh ishin qindra qytetarët që kanë sfiduar temperaturat e ulëta për të ndjekur spektaklin në këtë mbrëmje.
Ajo u ngjit në skenën e madhe ku ka dhënë një super performancë. Këngëtarja është shoqëruar nga balerinët teksa këndonte para shqiptarëve. Në nisje të koncertit, ajo u shpreh se nga Tirana mbyll turneun e saj.
“Faleminderit shumë, urime 110 vjetorit të pavarësisë. Faleminderit për suportin, për energjinë që po na jepni sot. Kjo është nata e fundit e turneut, këtu sot përfundojmë në Tiranë me ju. Faleminderit shumë që jeni këtu”, – tha ajo.
Rikujtojmë se, dy ditë më parë Dua Lipa mori edhe nënshtetësinë shqiptare. Një ditë më pas ajo mori edhe pasaportën shqiptare. Këngëtarja tha se ishte shumë e nderuar për këtë.