Gjermanisë po i mbarojnë forcat e kualifikuara punëtore, por vetëm 16% e sipërmarrjeve arrijnë që të gjejnë punëtorë të huaj të kualifikuar. Gjithmonë e më shumë sipërmarrjet po i ankohen qeverive nëpër lande dhe asaj federale për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Për ekonominë gjermane kjo po kthehet në një nga rreziqet më të mëdha, thotë “DË” në një analizë të fundit.
Ashpërsimin e situatës e tregoi edhe një sondazh i fundit i Institutit të Opinionit, “Civey”, i kryer me porosi të Fondacionit gjerman “Bertelsmann”.
Nga 7500 sipërmarrje të anketuara aty, 66% dhanë përgjigjen se, nuk gjejnë dot sa duhet fuqi punëtore të kualifikuar.
Nga marsi 2020, është në fuqi në Gjermani një ligj që lehtëson fuqinë e kualifikuar punëtore nga shtetet jo-anëtare të BE-së të vijë në Gjermani. Por duket se pikërisht kjo është kthyer edhe në problemin më të madh…
Në shumë vende të Ballkanit përfshi këtu edhe Shqipërinë, ambasadat e Gjermanisë kanë mbyllur dyert për aplikime ose kanë vështirësuar jashtë mase procedurat e aplikimeve për viza punësimi, duke bërë që shumë individë t’i drejtohen më lehtësisht kërkesës për azil se sa aplikimeve normale.
Që nga procedurat e lënies së takimeve ose siç quhen “Termine”, e deri tek aplikimet dhe dhënia e vizës së punës, janë bërë procedura tepër të gjata dhe mjaftë të zvarritura, në një kohë që çmimet e shërbimeve nëpër ambasada janë dyfishuar.
Në fillim të tetorit, Ambasada Gjermane në Tiranë njoftoi dyfishimin e të gjitha çmimeve të shërbimeve konsullore dhe atyre që ofrohen në këtë ambasadë. Po ashtu në këtë ambasadë që prej gushtit të këtij viti, procedurat për lënien e takimeve për aplikimin për viza pune, janë komplikuar dhe madje janë jofunksionale me dy pretendime kryesore atë “të pandemisë” dhe “të numrit të lartë të aplikuesve”.
Por si ka mundësi që, në një kohë që shteti Gjerman kërkon me ngut punonjës, në një kohë që autoritetet e ambasadave të këtij vendi, tallen me nevojën dhe dëshirën e mjaftë punonjësve shqiptarë apo vendeve të tjera të Ballkanit për të shkuar aty?
Kjo ka bërë që në ambasadat e këtij vendi të hapen edhe skandale korrupsioni si në rastin kur në Kosovë, mediat denoncuan abuzime me caktimin e takimeve në ambasadën Gjermane.
Jo më pak e lakuar për mungesë serioziteti dhe madje edhe për korrupsion kryesisht nga stafi shqiptar, është edhe ambasada e Gjermanisë në Shqipëri. Edhe aty thashetheme për abuzime apo favorizime kanë nisur që të qarkullojnë kohët e fundit në Tiranë dhe në media.
Megjithatë, pavarësisht korrupsionit të diplomatëve dhe ambasadave në vendet e Ballkanit, shumë sipërmarrje në Gjermani i tremben tërheqjes së fuqisë punëtore nga jashtë, e një nga pengesat kryesore është gjuha.
Një tjetër shqetësim, janë pengesat burokratike. Llogaritet që për të mbushur boshllëqet e tregut të punës në vend, nevojiten 400.000 të huaj të kualifikuar në vit.
Autoritetet kanë hedhur idenë e krijimit të partneriteteve të shkollimit mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera, që mund të kontribuojnë për përmirësimin e tërheqjes së fuqisë punëtore që dëshiron të vijë.
Në këtë drejtim 57% e sipërmarrjeve, janë shprehur pozitivisht për më shumë ujdi ndër-kombëtare, për ndërmjetësimin dhe shkollimin e fuqisë së kualifikuar punëtore ose edhe thjesht të mësimit të gjuhës gjermane.
/Priza.al/