Pekini është goditur nga stuhia më e rëndë e rërës. Pamjet që janë bërë virale, tregojnë se si kryeqyteti kinez është mbuluar nga “pluhuri” të hënën, teksa përjetoi atë që zyra e motit e ka quajtur stuhia më e rëndë e rërës në një dekadë.
BBC shkruan se qindra fluturime janë anuluar, pasi qielli u kthye në një mjegull pluhuri me pamje apokaliptike.
Me gjasë, rëra ka ardhur nga erërat e forta nga Mongolia, një vend që po përjeton stuhi të rënda rëre, të cilat tashmë kanë shkaktuar 6 të vdekur deri më tani dhe dhjetëra të zhdukur.
“Duket si fundi i botës”, tha banorja e Pekinit, Flora Zou për agjencinë e lajmeve Reuters. “Në këtë lloj moti, unë me të vërtetë nuk dua të jem jashtë”.