Në këtë legjislaturë mazhoranca ka refuzuar të ngrejë 8 komisione hetimore, të kërkuara nga opozita, vendime, të cilat juristët i kritikojnë dhe i cilësojnë shkelje të të drejtave kushtetuese të pakicës parlamentare. Kryeprokurori Altin Dumani i tha INA Media-s se, të dyja palët mund të bashkëpunojnë dhe se Prokuroria Speciale i ka ndjekur dhe i ndjek me vëmendje hetimet e parlamentit.
INA Media pyeti drejtuesin e Prokurorisë Speciale, nëse puna e SPAK mund të dëmtohej nga hetimi paralel, parlamentar dhe në një përgjigje me shkrim, zoti Altin Dumani nuk shpreh asnjë shqetësim në këtë drejtim.
“Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze”, – tha kreu i SPAK.
Zoti Dumani shton se ligji parashikon që Prokuroria e Posaçme mund të bashkëpunojë me komisionet hetimore, parlamentare, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Duke theksuar se “në çdo rast hetimi penal është i pavarur”, drejtuesi i Prokurorisë Speciale i tha INA Media-s se “Prokuroria e Posaçme ka qenë dhe është e vëmendshme ndaj hetimeve të kryera nga komisionet parlamentare për ato vepra penale që janë në juridiksionin e saj”. /inamedia