Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasin Endri Zaja, 22 vjeç, pasi aksidentoi 4 ditë më parë një të moshuar italiane. Kujtojmë se i riu po udhëtonte me shpejtësi me automjetin e tij, kur përplasi 2 këmbësorë dhe u largua nga vendngjarja. E lënduar më rëndë mbeti 74-vjeçarja, e cila fatmirësisht shpëtoi pas mjekimit të marrë në spital. Ndërsa burri që e shoqëronte u ngrit menjëherë në këmbë pas aksidentit, dhe vrapon në tentativë për të ndjekur makinën.
Ndërkaq mësohet nga burimet policore se autori Endri Zaja, ka qenë i shpallur më parë në kërkim si autor kryesor i dy vjedhjeve në Durrës
Njoftimi nga policia
‘Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, pas një pune intensive u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit E. Z., 22 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas më datë 15.06.2021, në lagjen nr.11, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, ka aksidentuar shtetasen italiane A. G., 74 vjeçe, dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Shtetasja A. G., pas mjekimit të marrë në spital është larguar në banesë.”
Po ashtu, dyshohet se ky shtetas është autor i 2 vjedhjeve të ndodhura më parë, konkretisht:
Më datë 10.06.2021, në Kameras, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e shtetases V. M., një sasi vlere monetare dhe disa paketa cigare. Më datë 14.06.2021, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në marketin e shtetasit M. M. Materialet në ngarkim të shtetasit E. Z., do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Vjedhja”.