Një 29-vjeçare në Durrës ka ndërruar jetë ditën e djeshme, 5 ditë pasi solli në jetë fëmijën e saj. E ndjera është identifikuar si Ardita Muça, nga fshati Arapaj i Durrësit, e cila ka humbur jetën një ditë pasi ka dalë nga spitali në rrethana ende të paqarta.
Familjarët deklaruan se, lehona ndërroi jetë teksa po konsumonte ujë, ndërsa akuzojnë mjekët për mjekim të pakujdesshëm, duke bërë edhe një denoncim ndaj tyre në drejtorinë e Policisë së Durrësit.
Ata kanë treguar se, e reja lindi me operacion cezarian në datë 30 qershor, por doli nga spitali vetëm dje. Pasi takoi të motrën në shtëpi, u çua për të konsumuar një gotë me ujë, por ra në dysheme.
Po ashtu, në një rrëfim për “BW”, familjarët thanë se, ndihma e parë iu dha nga bashkëshorti, i cili e solli në jetë, por ambulanca mbërriti vonë.
“Ambulanca mbërriti vonë dhe pa pajisjet e duhura. Ekipi që erdhi në banesë bëri procedurën, por kërkuam që të vijë një mjek, pasi ata nuk ishin të përgatitur për paciente lehonë. Më vonë erdhi mjeku. Në urgjencë mbërriti me rrahje zemre, por mjekët thanë se, truri nuk funksionon pa oksigjen. E keni sjellë vonë, na thanë mjekët”,- tregojnë të afërmit.
Trupi i pajetë i të resë është dërguar në morgun e qytetit, ku edhe pritet të bëhet ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbulojë edhe shkakun e vdekjes. Ndërsa deri më tani nuk ka asnjë reagim nga spitalit lidhur me ngjarjen e ndodhur.
Policia e Durrësit reagoi ndër kohë për ngjarjen e rëndë të raportuar, ku 29-vjeçarja Ardita Muça, kishte ndërruar jetë pesë ditë pas lindjes së fëmijës së saj të dytë.
Policia thekson se, 29-vjeçarja ka mbërritur pa shenja jete në spitalin rajonal Durrës, mbrëmjen e kaluar.
Njoftimi i policisë:
“Më datë 05.07.2021, rreth orës 20:00, jemi njoftuar se ka mbërritur pa shenja jete në spitalin rajonal Durrës shtetësja A. H., 29 vjeçe, banuese në Shkallnur.
Trupi i viktimës ndodhet në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes”.
/Burimi: BW/Priza.al/