Qytetarët të cilët humbën shtëpitë si pasojë tërmetit tragjik të 26 nëntorit në Fushë Krujë, do të futen së shpejti në banesat e reja.
Me një postim në Facebook, Kryeministri Edi Rama, teksa publikon një video nga kantieri në lagjen “Rilindja” në Fushë Krujë, thotë se punimet për banesat individuale kanë hyr në fazën finale.
Kryeministri bën me dije po ashtu se pallatet dhe infrastruktura publike do të jenë të përfunduara për Krishtlindje.
“Mirëmëngjes dhe me kantierin e lagjes së Rilindjes së Fushë Krujës ku punimet kanë hyrë në fazën finale për banesat individuale, e për Krishtlindje edhe pallatet e infrastruktura publike do të jenë të përfunduara, ju uroj një javë të mbarë“, shkruan Rama.
Në kuadër të programit të rindërtimit në Fushë-Krujë po ndërtohen 15 pallate, 100 apartamente, 167 shtëpi individuale. Lagjja e re përfshin çerdhe, kopsht, qendër shëndetësore, shërbime administrative dhe një treg të madh për zonën.
Gjithashtu Kryeministri ka inspektuar punimet edhe në zonën Manëz. Ky fundvit do t’i gjejë nëpër shtëpitë e reja familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Manëz të Durrësit. Rama tha se ne Manëz po krijohet një lagje e re, me 9 pallate për 224 familje, me shkollën, kopshtin, dhe një qendër sociale. Po ashtu, kryeministri shtoi se ka përfunduar e gjithë infrastruktura dhe janë gati 193 parkime nëntokësore.
“Manëz, Durrës, aty ku po rikrijohet lagjja e re, me 9 pallate për 224 familje, me shkollën, kopshtin, dhe një qendër sociale. Pasi ka përfunduar e gjithë infrastruktura dhe janë gati 193 parkime nëntokësore kjo qendër e re banimi do të jetë gati këtë fundvit“, thotë Rama
Një tjetër ndalesë e kryeministrit ka qenë zona Perlat në Durrës, ku po përfundojnë punimet e shkollës fillore dhe e kopshtit, tw cilat plotësojnë të gjitha standardet europiane. Rama u shpreh se “në shkollën fillore dhe kopshtin “Perlat”, rilindur pas tërmetit, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e kopshtet e komunave Europian”.
/Priza.al/