Policia Rrugore e Durrësit ka bërë bilancin e një jave si rezultat i kontrolleve në të gjitha akset rrugore.
Në një njoftim zyrtar policia ka raportuar se janë arrestuar 4 shoferë, 3 të tjerë janë vënë nën hetim, ndërsa janë pezulluar 69 patenta.
Njoftimi i policisë
Policia Rrugore vijon kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore të qarkut, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Kontrollet e shtuara kanë për qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit angazhohen çdo ditë, në akset rrugore në afërsi të shkollave, me qëllim normalizimin e trafikut dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore.
Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore, nisur dhe nga denoncimet e qytetarëve, për shkelje të ndryshme rrugore:
-janë arrestuar 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”;
-janë pezulluar në total, 69 leje drejtimi, nga të cilat 65 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 1 për drejtim të mjetit, nën ndikimin e alkoolit dhe 3 leje drejtimi, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet vijojnë në çdo aks rrugor.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin e mjetit, nën efektin e alkoolit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë.