Një 19-vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 4 kallëpë lëndë eksplozive tritol.
Shtetasi me iniciale R. K., akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“.
Sasia prej rreth 1 kilogram tritol dyshohet se do të shitej kundrejt përfitimit ekonomik nga i riu.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kulla”. Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për të shitur lëndë eksplozive tritol. Sekuestrohen 4 kallëpë tritol me peshë të përgjithshme rreth 1 kilogram. Vihet në pranga poseduesi i tyre, i cili u kap duke transportuar lëndën eksplozive.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Manëz, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas po transportonte lëndë eksplozive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kulla”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-R. K., 19 vjeç, banues në fshatin Kullë, Durrës.
Ky shtetas u kap në aksin rrugor Sukth – Kullë, duke transportuar me qëllim shitjen, 4 kallëpë lëndë eksplozive tritol, me peshë të përgjithshme rreth 1 kilogram.
Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe të implikimit ose jo në ngjarje kriminale, të 19-vjeçarit.
Materialet e para hetimore në ngarkim të këtij shtetasi, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, për veprime të mëtejshme.