Fatura të majmeve që kapin shifrën rreth 200 milionë euro, tre inceneratorë në letra por asnjëri në punë, biznesmenë e politikanë të lartë në kërkim policor e shumë të tjerë që hyjnë e dalin nga dera e SPAK, landfille të tejmbushur që rrezikojnë një krizë mjedisore. Këto janë pasojat e deritanishme të inceneratorëve, dosjet penale të të cilëve kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe mjedisore.
Pak kilometra në dalje të Tiranës, një tabelë e vendosur në anën e majtë të rrugës tregon drejtimin për të shkuar në Sharrë. Aty gjendet një prej varrezave publike të kryeqytetit, që sot është kthyer edhe në një “varrezë” mbetjesh. “Mezi mbushemi me frymë. Në mëngjës dhe natën era e rëndë është e padurueshme” – i thotë DW-së një banor i Sharrës. Ata kanë frikë të flasin, pasi fjala “incenerator” ka peshë më të madhe në zonë.
Këtu ishte parashikuar që kompania “Integrated Energy.BV.SPV”, të ndërtonte inceneratorin që do t’i jepte një herë e mirë drejtim situatës së mbetjeve për bashkitë e qarkut të Tiranës. Por zgjidhja që u reklamua si një “shpëtim” përfundimtar, sipas ekspertëve është thjesht përmbysje e piramidës së BE-së për menaxhimin e mbetjeve.
“Faza e parë është reduktimi, më pas ripërdorimi, riciklimi, prodhimi i energjisë që është i ndryshëm nga incerimi – është waste to energy, pra djegie e mbeturinave për të prodhuar energjinë – dhe në fund fare vjen asgjësimi, që mund të bëhet përmes djegies, pra incenerator ose përmes asgjësimit. Në këtë moment jemi tek hallka e fundit, që akoma s’po funksionon” – thotë për DW inxhinieri i mjedisit, njëkohësisht ekspert i ekonomisë qarkulluese, Lulzim Baumann./ DW