Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftuan një ditë më parë se për dy javët e ardhshme, personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia duhet të futen në karantinë. Kjo lëvizje vjen kur na ndajnë 5 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit. Lidhur me këtë vendim, LSI ka bërë lëvizjen e radhës. Kjo forcë politike ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës, një kërkesë për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për vendosjen e karantinës për dy javë për shtetasit shqiptarë të cilët vijnë nga Greqia dhe Maqedonia. Për LSI-në, ky vendim është arbitrar dhe në shkelje të hapur me Kushtetutën.
“Këtë akt administrativ ne e konsiderojmë të marrë pa prova, me qëndrime të njëanshme dhe të paligjshme nga pala e paditur, në kundërshtim, në lajthitje, si dhe në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore të ligjit dhe rregullave të prokurimit publik”.
LSI kërkon marrjen e Masës së Sigurimit të Padisë duke pezulluar zbatimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 19.04.2021, me objekt: “Vendosjen në karantinë dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia”, deri në fund të gjykimit dhe derisa vendimi gjyqësor të marrë formë të prerë.
Në dy javët e fundit, kurba e të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi ka ndjekur trajektore rënëse, dhe për këtë Komiteti vendosi të ndryshojë sërish masat kufizuese. Në një konferencë për mediat, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se të gjithë ata që mbërrijnë në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të vetëkarantinohen për 2 javë. Rakacolli sqaroi se u vendos karantinimi i detyrueshëm për emigrantët që kthehen në vend, pasi Maqedonia dhe Greqia përfshihen në shtetet me rrezikshmëri të lartë infektimi.