Kryeministri Edi Rama është kujtuar të kryejë një inspektim në zonat e përmbytura në Shkodër ku tashmë qyteti ‘noton’ në ujë që prej 2 ditësh.
Përveç kësaj ai vijon ta krahasojë situatën e tanishme me atë të 12 viteve më parë në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha.
I shoqëruar nga ministrja për Shtetin, si dhe drejtuesja politike e qarkut të Shkodrës Elisa Spiropali, bashkë me prefekten Majlinda Angoni, Rama u shpreh se situata nuk ka të krahasuar me 2010, pasi është përmirësuar tërësisht.
Por, a mund të krahasohet një përmbytje e para 12 viteve me një të ndodhur tani?
Meqë situata sa vjen dhe po përmirësohet, pse bën Rama krahasime kur në fakt kanë kaluar më shumë se një dekadë?
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama nuk ngurron të ‘mburret’ teksa shkruan se nga 12 mijë banorë të evakuuar, sot janë vetëm 22, duke ju referuar shifrave zyrtare të Bashkisë së Shkodrës.
“Në Shkodër tek harku i Bërdicës, ku në krahasim me 2010-ën situata është përmirësuar tërësisht. Nga 12 mijë banorë të evakuuar atëherë, sot vetëm 22, nga 2800 banesa të përmbytura sot asnjë shtëpi e mbuluar nga uji, nga 14 mijë hektarë të përmbytur sot vetëm 1 mijë e 300 hektarë, të gjitha këto sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë Bashkia Shkodër”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se njerëzit mund ta bëjnë vetë diferencën ndërsa inkurajoi forcat në terren të çojnë deri në fund misionin e tyre për përballimin e kësaj situate.
“Ky është një sistem që vihet në lëvizje sipas niveleve të planit. Nisen e dinë shumë mirë edhe me çfarë do përballen dhe kanë bërë sakrificë gjithmonë pa asnjë rezervë. Ajo që duhet thënë është se prapë janë hektarë të përmbytur. Nëse në të gjithë zonat e tjera kemi ndryshim të sistemeve të kullimeve këtu nga strukturat vendore kemi pasur gjithmonë problem.
Nuk dua të fajësoj njeri por të thuash që kjo erdhi si rezultat i kaskadës ky është skandal më vete. Njerëzit mund ta bëjnë vetë diferencën. Natyrisht të vazhdojmë punën dhe të tregojmë maksimumin e solidaritetit”, deklaroi Rama.