Ashtu dhe siç kishin paralajmëruar më parë, prodhuesit e birrës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet në ligjin e akcizës.
Nga 1 janari 2023 kompanitë shqiptarë po paguajnë dyfish të vlerës së taksës. Nga Shoqata e Prodhuesve të Birrës Vendase u theksua se rritja e akcizës vijon të japë efekte negative te kompanitë shqiptare.
Ndryshimi i akcizës shtoi edhe 20% kostot e prodhuesve, që ishin të goditur edhe nga shtrenjtimi i lëndës së parë birrës malto, materialeve ambalazhuese dhe rritja e pagave të punonjësve.
Prodhuesit ngrenë shqetësimin se kostot nga dyfishimi i akcizës dhe lëndëve të parë janë shtuar 40%. Për këtë arsye kanë detyruar të rrisin çmimet 20 deri 25%, ndërsa kanë rënë shitjet nga shtrenjtimi i çmimeve, por edhe largimi i popullatës.
“Rënia e shitjeve ka shtuar kostot fikse (detyrimet e taksave dhe pagesat e punonjësve). Sakaq çmimi i birrës shqiptare është barazuar me importin, i cili është zgjeruar në treg. Çfarë të mira përfiton ekonomia shqiptare nga kjo masë fiskale?”, theksoi një nga prodhuesit.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë e pyetur nga Monitor për strategjinë konkrete në ndihmë të sektorëve të prekur nga shtimi i kostove për shkak të rritjes së akcizës tha:
“Akciza e birrës u unifikua në kuadrin e angazhimeve të integrimit që ka Shqipëria për transpozimin e direktivave në legjislacionin vendas. Unifikimi i akcizës u bë si për prodhuesit vendas, ashtu edhe për importin, pra për birrën që importohet nga prodhues rajonale apo europianë. Akciza është tatim indirekt që normalisht rrit çmimin për konsumatorin, pra është konsumatori ai që e paguan. Strategjia e Ministrisë së Financave synon në zbatimin e drejtë të legjislacionit për çdo operator ekonomik, në mënyrë që të mos krijohen diferencime në trajtimin tatimor”.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë në muajin nëntor të vitit të kaluar kur nisi diskutimet për projektligjin e akcizës, parashikoi se 65% e konsumit do të tarifohen me taksën e re 710 lekë për Hl (50% birrë e prodhuar në vend dhe 15% nga importi). Nga ndryshimi i taksës parashikohej që të ardhurat të rriteshin 260 mln lekë më shumë.
Efekti i parashikuar në të ardhurat e buxhetit, është i paleverdishëm krahas parashikimeve negative tw industrisë që herë pas herë ka ngritur alarmin për falimentim.
Nga 1 janari 2023, sektorët prodhues më të prekur nga rritja e akcizës ata të birrës dhe të pijeve të forta alkoolike. Për muajt janar-shkurt prodhimi te këta sektorë shënon rënie 12 deri 22%.
Sipas të dhënave të doganave për muajt janar-shkurt 2023, prodhimi i birrës ra 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-t. Importet e periudhës janar-shkurt 2023 janë rritur 50% krahasuar me vitin paraardhës. Në këtë periudhë janë importuar 5,1 milionë litra birrë, sasia më e larta e shënuar në 10 vitet e fundit.
Tendenca rënëse e prodhimit vendas është edhe te pijet e forta alkoolike. Sipas të dhënave të doganave për periudhën janar-shkurt 2023 prodhimi vendas i pijeve alkoolike u tkurr 22,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këtë vit rënia e prodhimit që në muajt e parë, vjen pas një viti të begatë për pijet alkoolike. Në total prodhimi vjetor i 2022-t u rrit 61% në raport me 2021.
2022 ka qenë viti me performancën më të lartë prodhuese që prej 2019-s, pasi sipas operatorëve ishte viti pas pandemisë, dhe u karakterizua nga një kërkesë e akumuluar dhe rritje të turistëve.
Prodhuesit thonë se për 2023 konsumi i pijeve alkoolike është ulur ndjeshëm e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve. Një nga prodhuesit tha më herët për Monitor se nga janari kanë rritur çmimet e pijeve alkoolike 20% më shumë për shkak të ndryshimit të akcizës./Monitor