Një ditë më parë, kreu i qeverisë Edi Rama paralajmëroi punonjësit e AlbControl që të ndërprisnin grevën, ose në të kundërtën do të përballeshin me një proces penal. “Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!”, shkruante Rama në një nga postimet në Twitter.
Kontrollorët e “AlbControl” ndërprenë punën me argumentin e uljes së pagave, duke shkaktuar bllokimin e fluturimeve në aeroportin “Nënë Tereza”. Rama paralajmëroi ndjekje penale për organizatorët e grevës.
Tre kontrollorë ajrorë, punonjës të AlbControl që monitoron hapësirën ajrore të Shqipërisë, janë ndaluar për “shpërdorim detyre”. Urdhri i ndalimit është nxjerrë nga Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve që nisën mbrëmjen e së mërkurës. Të ndaluarit janë Muhir Mezini, Armando Fezga dhe Flora Ndreca, kjo e fundit mbrëmë ishte e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 248 ka sanksionuar se veprimet a mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
“Neni 248 – Shpërdorimi i detyrës-Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”.
Megjithatë Avokati i Sindikatës së Pavarur të Transportit Ajror, Rezart Kthupi, theksoi se nuk ka hapësirë ligjore për të çuar kontrollorët për ndjekje penale, pasi ishin në kushtet e respektimit të një detyrimi ligjor.