Dyqanet online s’pyesin për moshën, shesin thika dhe doreza hekuri

Përdorimi i një thike të blerë lehtësisht në internet nga autori i vrasjes së 15-vjeçarit Fatjon Bici në Gramsh më 16 maj, risjell edhe njëherë në vëmendje rrezikun që vjen nga tregtia e pakontrolluar e këtyre sendeve. Një nga 4 adoleshentët e arrestuar pas ngjarjes së rëndë, ka treguar se thika dhe doreza e boksit që u përdorën në përleshje ishin blerë online për vetëm 1 mijë lekë të reja.

Përveçse me pasoja të rënda, kjo lloj tregtie është e ndaluar për adoleshentët. Shihet se mjafton një kërkim I thjeshtë në google për thikë, doreza, dhe sende të ngjashme dhe aksesohen dhjetëra faqe që tregtojnë sende të tilla. Mjafton një telefonatë dhe produkti dorëzohet me postë, pa asnjë kontroll për identitetin, moshën apo të dhëna të tjera. Kushdo mund të blejë sende të tilla, mjafton që të ketë para.

Çmimet
Doreza hekuri 1000 lek 1 cop
Pendrek 1500 lek 1 cop
Elektroshot 2000 lek 1 cop
Thika mbi 50 lloje

Për të verifikuar më konkretisht fenomenin, ne telefonuam numrin dhe u prezantuam si adoleshent.

Biseda e plotë:

Gazetari- Alo, shok. Si je? Po kontrolloja në internet dhe doja të merrja një dorezë hekuri . E pashë që ishte numri juaj. A më ndihmon dot?

Megjithë frikën që kanë, nuk duan të humbin rastin, dhe për të qenë më të sigurt se pas telefonatës nuk është ndonjë “spiun”, na ftojnë për një bisedë më të detajuar në Whatsapp.

Tregtari: A më shkruan dot në Whatsapp o vlla, më mirë?

Gazetari: Nuk e kam Whats app-in për momentin. S’kam internet se do të kisha shkruar. Po shiko unë edhe mund ta blej, po jam adoleshent e s’ma japin dot.

Tregtari: O vëlla më dëgjo! Se më vjen dhe keq se janë bërë shumë gjëra kështu e në telefon nuk flasim dot. Unë po i lagohem kësaj punë ngadalë-ngadalë. Kam një shok timin që I ka këto dhe jam duke ia heq atij , duke e ndihmu. Nuk merrem më me këto gjëra.

Gazetari: A ma jep numrin?

Tregtari: Ta jap numrin e atij shokut unë e fol ti me të se unë nuk merrem më me to.

Adoleshentët tregojnë se mjete të tilla prerëse apo doreza hekuri gjen kudo në tregje. Ky 17 vjeçar thotë se një të tillë që e mban me vete gjithmonë pasi e bleu lehtësisht në treg.“ Ka sa të duash nëpër Tiranë, nëpër tregje, te Çamët, tek Medresa, në dyqane. Kur shkojnë këto adoleshentët e tjerë 12-13 vjeç nuk ua japin, 17 e sipër po. Nuk ta jep ai në sy publikut, ta jep fshehurazi. Tani kanë dal lloj lloj gjonash”

E mban për vetëmbrojtje dhe tregon se nuk është aspak i vështirë sigurimi i saj.

“Në shkollë i mbajnë shumë edhe thikat edhe kaçavidat, edhe këto. Për rast sherri . Ka pasur raste që më është dashur ta përdor. Ça me bo?!”

Vëzhgimi në terren në tregjet e Tiranës, tregoi se thika apo biçakë të ndryshëm që mund të keqpërdoren nga moshat e reja, shiten lirisht në rrugë të aksesueshëm për këdo. Autoritetet ligjzbatuese vitet e fundit ndërmorën aksione kundër fishekzjarrëve pas disa ngjarjeve me pasoja, por duket se ka ardhur koha për kontrolle dhe aksione të tilla kur bëhet fjalë për mjetet prerëse apo ato që shkaktojnë dhunë./Shqiptarja.com

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *