Gazetarja Klodiana Lala, komentoi përgjimet e politikanit me emrin Taulant dhe lidhjet e tij me krimin. Provat për Taulant Ballën janë asgjësuar dhe ky është një vendim në shkelje të ligjit nga gjykata. Lala tha se këto përgjime janë asgjësuar 13 ditë më vonë pasi u kryen.
E ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’, Lala tregoi edhe një detaj nga seanca e fundit ndaj Ardian Çapjas. Lala tha se Çapja u pyet nga prokurori i posaçëm nëse ka patur marrëdhënie intime me një person, funksionare të drejtësisë. Sipas gazetares, kjo pyetje mund të jetë bërë pasi dyshohet për një lidhje të fortë të Çapjas me një person të besuar brenda Prokurorisë.
“Nuk dihet se çfarë u diskutua në ato 48 orë përgjime. Personalisht mendoj se nxitimi, ky përgjim u asgjësua 13 ditë më vonë. Në 13 ditë, fakti që u veprua me shpejtësi na bën të dyshojmë që aty ka pasur diçka. Këtë e dinë dy personazhe, nga njëra anë zoti Balla, që mund të reagojë dhe Ardian Çapja. Një detaj nuk ka dalë nga seanca.
Një moment, prokurori e pyet Çapjan për jetën personale, një marrëdhënie intime duke lënë të nënkuptonte që kjo marrëdhënie intime i kishte rrënjët në drejtësinë shqiptare. Nuk e di përse u bë kjo pyetje por kjo është e regjistruar me video dhe audio por që s’ka dalë nga seanca.
Kush mund t’i kopjonte përgjimet? Një person i besuar i Çapjas brenda Prokurorisë. Mendoj se ndaj e lidha, deri këtu shkoj, nuk di më tej. Jam në pamundësi që të shkoj më tej. U bë kjo pyetje dhe pati tension pasi kjo tejkalonte objektin e gjykimit. Çapja hodhi akuza ndaj prokurorit më pas, gjë që e bën çdo i pandehur”, tha Lala.