Gjykata e Korçës ka lënë në burg Martina Pajollarin, e cila u arrestua si bashkëpunëtore e autorëve të vrasjes së të riut Martin Çeço, me të cilin thuhet se ka pasur një lidhje.
Burime për mediat bëjnë me dije se Martina ka qenë arsyeja e konfliktit mes viktimës dhe autorit kryesor të dyshuar Valter Mollaj.
Pajollari u arrestua ditën e djeshme nga policia e Korçës, 4 muaj pas vrasjes së Martin Çeços, 26-vjeçarit me të cilin ishte në një lidhje në fshatin Kolanec të Maliqit. Por, me sa duket kjo nuk ka qenë e vetmja lidhje e 18-vjeçares, e pikërisht raporti me një prej autorëve dhe viktimën, ka qenë dhe shkaku i krimit të rëndë që tronditi Maliqin.
Mësohet se ajo mbante lidhje të dyfishtë, ndërsa në sy të Valterit (autorit kryesor të dyshuar) shprehej se Martini e detyronte për të qëndruar me të, por nga hetimet kjo gjë që nuk rezulton e vërtetë.
Nga deklaratat e saj në polici ajo në një moment ka pranuar që ndodhej në vendngjarje në momentin kur është kryer krimi. Lidhur me këtë ngjarje, më herët janë arrestuar edhe tre persona, Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Blenti Angjo janë të dyshuarit kryesor.
Nga hetimet prokuroria ka krijuar dyshime të forta se kjo shtetase e ka nxjerrë në pritë 26-vjeçarin, natën kur u ekzekutua disa kilometra pranë fshatit, tek një rezervuar, ku u inskenua dhe vetëvrasja e Martin Çeços. Ishte Tina Pajollari e cila u pyet e para në Polici dhe tregoi se vrasjen e kreu Valter Mollaj i mbështetur nga Edlir Mollaj dhe i shoqëruar nga bariu i tij Blenti Angjo. Më vonë para policisë ajo ka pranuar që ka qenë në vendngjarje dhe ka dhënë detaje të tjera mbi krimin mostruoz. Dëshmia e të resë është mbështetur dhe nga bariu i Valter Mollajt. Gjithsesi shtetasja Pajollari nga fshati Marjan i Korçës, ka ndryshuar disa herë dëshminë kur është marrë në pyetje.