Ndërsa talebanët po marrin kontrollin e Afganistanit, punonjësit e ndihmave thonë se situata duket e zymtë për pjesën më të rrezikuar të popullsisë, duke përfshirë edhe fëmijët. Në veçanti, gratë kanë frikë nga një rikthim i rregullave të ashpra që kjo shtresë e shoqërisë afgane përjetoi kur talebanët kishin pushtetin në fillim të viteve 1990. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi sjell më shumë hollësi.
Gjithçka është e mbyllur në Kabul ndërsa talebanët hynë në kryeqytetin afgan.Frika nga dhuna e detyroi popullsinë afgane të braskiste shtëpitë. Shumica e tyre gra dhe fëmijë.
Pesë familje në largim gjetën strehë në një shtëpi të vogël. Mes tyre janë tre të veja dhe shumë jetimë, të cilët nuk kanë se ku të shkojnë pasi edhe shkolla për ta nuk është më një zgjedhje.
Vejusha e zhvendosur, Guldasta, thotë se ajo humbi burrin dhe tre djem në luftime. Ajo tha për Zërin e Amerikës se nipërit dhe mbesat e saj tani mbajnë familjen duke mbledhur plehërat në Kabul.
“Këta fëmijë të vegjël mbledhin letra dhe plastikë nga mbeturinat. A është kjo punë për fëmijët e vegjël? Çfarë bëri presidenti Ashraf Ghani për ne? Çfarë bëri pararendësi Karzai? Çfarë bënë talebanët për ne? Ata lanë vajzat tona pa burra. Kemi muaj që jemi këtu. Pa bukë, të zhveshur e të zbathur. Ende në kërkim të ilaçeve”.
Ndërsa talebanët marrin kontrollin e vendit, punonjësit e ndihmave humanitare përballen me vëndime të vështira. Eileen McCarthy është me Këshillin Norvegjez për Refugjatët. Ajo tha për agjencinë e lajmeve Asssociated Press se punonjësit e ndihmave kanë të njëjtin fat si popullsia civile.
“Synojmë të qëndrojmë këtu dhe të japim ndihmën tonë që është me të vërtetë kritike tani, por gjithashtu kemi plane emergjente nëse situata vazhdon të përkeqësohet, se si të mbajmë të sigurtë stafin tonë – si vendasit ashtu dhe të huajt siç jam unë.”
Ndërsa talebanët marrin kontrollin e Afganistanit, punonjësit e të drejtave të njeriut shqetësohen kryesisht për vajzat afgane, të cilat nën sundimin e talebanëve nuk u lejuan të shkonin në shkollë, si dhe për gratë, të cilat nuk mund të dilnin në publik pa një mbulim të plotë të trupit dhe të shoqëruara nga një burrë.
Mary Akrami është drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave Afgane. Ajo foli për Zërin e Amerikës nga zyra e saj në Kabul.
“Talebanët ende kanë të njëjtin qëndrim, të njëjtën filozofi për veten dhe botën në të cilën jetojnë. Por kjo është shumë e vështirë dhe e pamundur për pjesën tjetër të popullsisë afgane, kryesisht për gratë dhe të rinjtë.”
Një burrë i zhvendosur, që identifikohet si M. Omar, tha për Zërin e Amerikës se familja e tij thjesht dëshiron një jetë normale.
“Talebanë, ju keni nëna dhe motra si ne. Edhe qeveria ka familje, nëna e motra. Për hir të Zotit, ndaloni luftimet! Për hir të librit të shenjtë, ndaloni luftimet. Nëse nuk ka luftë, ne mund të kthehemi në shtëpi dhe të punojmë për të siguruar jetesën e familjeve tona. Ne lamë pas gjithçka”.
Ai thotë se talebanët vëndosën mina tokësore përreth shtëpive nga të cilat u larguan dhe se disa fëmijë humbën gjymtyrët nga shpërthimet.
/Marrë nga VOA/