Nga Valon Arifi (publicist, aktivist i shoqërisë civile nga Presheva)
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama, në një takim me Presidentin, z.Bajram Begaj, bëri të ditur se këtij të fundit i dha emrin propozues për drejtuesen e re të institucionit më të rëndësishëm shtetëror për çështje të sigurisë, Shërbimit Informativ Shqiptar.
E njohur në çështje të sigurisë, me një bagazh të suksesshëm dhe pa shumë fjalë, ish-zv.drejtoresha e Agjencionit te Inteligjencës së Kosovës, znj.Vlora Hyseni, ishte emri i Ramës.
Vlora Hyseni është një grua e gjeneratës së re, e cila për gjysëm dekade ishtre truri kryesor i inteligjencës kosovare për veriun e vendit, aty ku mbase Kosovës i cënohej më së shumti siguria kombëtare; aty asgjë nuk kalonte pa u identifikuar nga ajo.
Hyseni ushtroi edhe funksionin e drejtueses së Agjencionit për nje kohë më të shkurtër.
Ajo njihet si kuadro që sukseset e saj i ka arritur pa shumë fjalë, rrjedhimisht njihet si grua e parë e terrenit, dhe jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, ku kohët e fundit ishte këshilltare e Kryeministrit Rama, por edhe jashtë kufijve të tyre.
Ngritjen në karriere apo edhe detyra të caktuara, Hyseni asnjëherë nuk e pati falë politikës. Edhe pse është njohëse e mirë e marrëdhënieve ndërkombëtare, ajo asnjëherë nuk është marrë me politikëbërje.
“Gruaja shqiptare e terrenit”, siç edhe njihet ndryshe, Vlora ka qenë aktive në terrene ndërkombëtare, çka edhe e ka bërë shumë të besueshme për partnerët nderkombëtarë, veçmas ato amerikane.
Emërimi i saj në krye të SHISH, si insititucion i një shteti anëtar të NATO’s, rrit besimin edhe te partnerët e sigurisë së Republikës së Shqipërisë.
Njëherësh po shihet si emërim dhe hap shumë pozitiv nga Kryeministri Rama, duke u bazuar në kompetenca, vlera dhe atë që përfaqëson tashmë kandidatura e drejtueses së re të Shërbimit Informativ Shqiptar, guximin e hekurt për t’i shërbyer vendit.